Politike26 Shkurt 2024, 19:54

“I përngjan asaj të diktaturës”, Berisha vijon sulmet ndaj SPAK: Amniston Ramën dhe Veliajn për inceneratorët!

Shkruar nga Pamfleti

“I përngjan asaj të diktaturës”, Berisha vijon sulmet

Ish kryeministri, Sali Berisha, në fjalimin e tij nga dritarja e banesës ku po vuan masën “arrest shtëpie”, ka sulmuar sërish drejtësinë e re.

Ai tha se drejtësia e re nuk është për t’u lavdëruar, pasi sipas tij ajo deri më tani ka amnistuar personat që kanë vjedhur mbi 2 miliardë euro qytetarëve evropian, duke ju referua këtu rastit të Amant Josifit, me call centerat.

Më tej ai shtoi se kanë amnistuar edhe Ramën e Veliajn, që sipas tij kanë vjedhur 130 milionë euro me inceneratorët. Ai theksoi se nuk mund t’i hidhet hi syve shqiptarëve, duke pretenduar se kjo është drejtësi e denjë.

A mund të lavdërohet një drejtësi, që si xhelat pret lirinë e fjalës? A mund të lavdërohet një drejtësi, e cila amniston atë që ka vjedhur mbi 2 miliardë euro qytetarëve europianë? A mund të lavdërohet një drejtësi, e cila amniston Edi Ramën dhe Erion Veliajn që kanë vjedhur 130 milionë euro për djegësat që nuk ekzistojnë?

Kujt ia shisni këto mor? Çfarë jeni? Çfarë mendoni, se hanë bar shqiptarët? Turp mor, turp. Cila drejtësi është kjo? Kjo është drejtësia e turpit, drejtësia e krimit. I bëj thirrje Parlamentit Europian të sjellë një mision faktmbledhës, i bëj thirrje Komisionit të Venecias, Këshillit të Europës, urdhëroni në vend.

Kjo drejtësia e re e Xhorxh Sorosit i la shqiptarët jo pa drejtësi, por u dha drejtësinë më politike në histori. Po çfarë kujtoni? Po mbrojtja e të drejtave është akti më themelor i një shteti dhe me drejtësinë politike, nuk ka shqiptar që gëzon një të drejtë të vetme.

Çfarë i mendoni shqiptarët zotërinj? Se nuk duhet të gëzojnë të drejtat si qytetarë europianë? Se nuk duhet të gëzojnë të drejtat kushtetuese? Se nuk duhet të gëzojnë të drejtat e Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut? Shqiptarë, merrni në dorë fatin tuaj, merrni në dorë vendin tuaj, merrni në dorë të ardhmen tuaj. Nuk ka korrupsion më të madh ndërkombëtar se ky që ndodh.

Unë ftoj zyrtarët e të gjitha vendeve partnere, lexoni pak raportet tuaja dhe do të gjeni se gjykata e krimeve të rënda ka dënuar në vit 2-3 herë më shumë kriminelë se sa Skapi i partisë, për të cilin betoheni. Lexoni raportet tuaja, do të gjeni se task-forca e luftës kundër korrupsionit ka dënuar tre herë më shumë në vit për korrupsion se Skapi politik i partisë. Lexoni pak dosjet, nuk kishte djegësa, nuk kishte sterilizatorë, nuk kishte asnjë prokurim pa tender të hapur, nuk kishte Dubai City, nuk kishte Butrint", tha ai. 

berisha