Politike26 Shkurt 2024, 14:59

Shmanget përplasja me opozitën, Komisioni i Reformës Zgjedhore mblidhet nesër online

Shkruar nga Pamfleti

Shmanget përplasja me opozitën, Komisioni i Reformës Zgjedhore

Komisioni i Reformës Zgjedhore do të mblidhet ditën e nesërme. Damian Gjiknuri e Enkelejd Alibeaj nuk do të tentojnë mbledhjen fizike, por për të shmangur përplasjen me grupin e Rithemelimit takimi do të zhvillohet online.

Këtë herë, do të jetë radha e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të propozuar ndryshime në Kodin Zgjedhor. Kjo dëgjesë vjen pasi Alibeaj dhe Gjiknuri kanë mbledhur edhe propozimet e një sërë grupesh të tjera të interesit, si diaspora e shoqëria civile por edhe rekomandimet e BE-së që lidhen me depolitizimin e administratës zgjedhore, financimin e fushatave etj.

Më herët, Gjiknuri e Alibeaj kanë zhvilluar një sërë seancash dëgjimore me grupet e interesit, shoqërinë civile që kërkon lista të hapura, por edhe me shoqatat e diasporës që kërkojnë që në 2025 të kenë mundësi që emigrantët të votojnë.

Edhe minoritetet i kërkuan Komisionit të Reformës Zgjedhore të garantojnë përfaqësim të drejtpërdrejtë të tyre në Kuvend, kërkesë kjo e përsëritur përmes një letre disa ditë më parë nga tre parti minoritare.

Ndërkohë PD zyrtare që bashkëkryeson Komisionin, e ka prej muajsh gati draftin e saj për 1 zonë zgjedhore, votën e diasporës e lista 100% të hapura, për të cilën do të duhet të bindë edhe PS-në që në kushtet kur ka deklaruar se është komode me këtë Kod Zgjedhor, nuk ka bërë propozime.