Politike26 Shkurt 2024, 18:13

Detajet e Samitit të Ukrainës në Tiranë/ Vuçiç “sfidon” Moskën, Rama “i jep zë” Erdoganit

Shkruar nga Pamfleti
Detajet e Samitit të Ukrainës në Tiranë/ Vuçiç
Rama-Zelensky

Vuçiç i bashkohet një samiti ku dënohet agresioni rus dhe në fund do arrihet në konkluzione që do të duhet dhe firma e tij...

Për herë të parë Shqipëria do të mbajë një Samit për situatën në Ukrainë. Të mërkurën do të  jetë vetë në kryeqytetin shqiptar presidenti Volodymyr Zelensky, teksa samitit do i bashkohen dhe shumë liderë të tjerë të rajonit dhe BE.

Samiti do të mbahet në Pallatin e Kongreseve dhe do të jetë i ndarë në disa sesione. Këto sesione do të jenë me dyer të mbyllura, teksa në fund pritet që të ketë një konferencë shtypi, ku dhe do të jepen detaje nga konkluzionet e arritura. Plani është që Zelensky të mbërrijë në Tiranë që mbrëmjen e nesërme, por kjo do të varet nga situata e luftës në Ukrainë. Gjithsesi nga nesër Shqipëria do të jetë në shtetrrethim, për shkak të masave të sigurisë për kryeministrin ukrainas dhe liderët e tjerë që do të vijnë në samit.

Sipas informacioneve, Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, teksa ftesën e ka pranuar dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Ky i fundit duket se me këtë pjesëmarrje i jep “goditje” Moskës nga njëra anë dhe nga ana tjetër, konfirmon lojën me dy porta. Ndonëse nuk i vë sanksione Rusisë, Vuçiç i bashkohet një samiti ku dënohet agresioni rus dhe në fund do arrihet në konkluzione që do të duhet dhe firma e tij.

Mësohet se i pranishëm do të jetë virtualisht dhe presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan. Ai do të flasë përmes një lidhje online. Nuk kishte se si të mungonte prezenca e tij, pasi samiti vjen vetëm pak ditë pas vizitës së Ramës në Turqi.

Padyshim që do të ketë dhe emra të tjerë të rëndësishëm, teksa me interes pritet fjalimi që do të mbajë Zelensky në Tiranë. /Pamfleti