Politike22 Prill 2024, 09:57

Ish-këshilltari i Ilir Metës shkon në SPAK

Shkruar nga Pamfleti

Ish-këshilltari i Ilir Metës shkon në SPAK

Ish-deputeti i LSI, njëherësh ish-këshilltar i Ilir Metës, gjatë kohës që ky i fundit ushtronte detyrën e Kryetarit të Kuvendit, Ralf Gjoni, është paraqitur mëngjesin e së hënës në SPAK. Gjoni ka hyrë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm.

Gjoni është paraqitur në SPAK për t'u pyetur në lidhje me hetimet që po bën kjo strukturë për tre kallëzime të bëra ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-kryetares së LSI, Monika Kryemadhi.

Tre hetimet prej disa muajsh janë në një procedim të vetëm në duart e SPAK. Mes të tjerave ka edhe një kallëzim të bërë ndaj Kryemadhit, për pagesa në totalin e 700 mijë eurove të kryera në SHBA, për llogari të një lobimi për partinë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Ralf Gjoni është një nga dy deputetët që nuk pranuan të digjnin mandatin në shkurt 2019.

Ralf Gjoni në zgjedhjet e 2009 u bë zëdhënësi i fushatës së LSI-së që në atë kohë drejtohej nga Ilir Meta.

Ai që nga viti 2012 ka qenë anëtar i strukturave drejtuese të LSI-ë, ndërkohë ka mbajtur dhe postin e Sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë në këtë forcë politike.

Gjithashtu, Ralf Gjoni ka qenë këshilltari i Ilir Metës, kur ky i fundit ka mbajtur postin e Ministrit të Jashtëm, kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

ralf gjoni ilir meta spak