Politike21 Prill 2024, 20:22

Veliaj tërhiqet pas protestave para bashkisë, mbledh Këshillin Bashkiak për të diskutuar kërkesat e opozitës

Shkruar nga Pamfleti

Veliaj tërhiqet pas protestave para bashkisë, mbledh Këshillin

Pas disa protestave të opozitës të zhvilluar para bashkisë së Tiranës, mësohet se ditën e nesërme më 22 prill është njoftuar se do të mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës për të diskutuar kërkesat e këshilltarëve të opozitës, pas protestave të tyre përpara institucionit.

Gazetari Osman Stafa raporton se mbledhja do të zhvillohet nesër në orën 17:00 dhe se pas mbledhjes do të ketë një prononcim për mediat.

Opozita ka kërkuar ngritjen e Komisionit të Brendshëm Financiar, që funksionon për një periudhë 4-vjeçare dhe ka në përbërje të saj përfaqësues të mazhorancës dhe të opozitës.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës Dorian Teliti tha gjatë ditës së sotme se Komisioni i Brendshëm Financiar ka për detyrë kontrollin mbi të ardhurat dhe shpenzimet e kryera nga bashkia, në përputhje me buxhetet e miratuara vjetore.

Teliti theksoi se nuk ka ndonjë arsye për të mos e ngritur këtë Komision, pasi është një detyrim i rregullores së brendshme të funksionimit të Këshillit Bashkiak.

Deklarata e sotme e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti:

Të dashur qytetarë!

Së pari, një falënderim për të gjithë, për mbështetjen që i keni dhënë Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozitës shqiptare këto tri javë, në betejën e përbashkët për transparencë, për të zbardhur të vërtetën dhe vendosjes para drejtësisë të çdokujt që ka abuzuar dhe vjedhur paratë e taksapaguesve të Tiranës dhe Shqipërisë.

Kur bota demokratike ecën përpara në respektimin e të drejtave të njeriut dhe iniciativës së lirë e të ndershme, këtu në Shqipëri shkelja e ligjit, abuzimi i tij dhe përdorimi i strukturave shtetërore për interesa politike dhe personale është kthyer në normë.

Abuzimi dhe vjedhja e fondeve nga grupi i strukturuar i krimit financiar 5D dhe shefi i tyre politik Erion Veliaj, kanë shënuar rekord Guiness, duke e ngritur korrupsionin në nivelet 100%.

Më në fund, mazhoranca në Këshillin Bashkiak, ka njoftuar se ditën e hënë në orën 17:00, do të mblidhet Kryesia e Këshillit Bashkiak për të diskutuar dhe marrë vendim mbi kërkesat e dorëzuara nga këshilltarët e opozitës për mbledhje të jashtëzakonshme të vetë Këshillit Bashkiak.

Megjithëkëtë, shkelja e hapur e ligjit dhe rregullores së brendshme të funksionimit të Këshillit Bashkiak vijon.

Në nenin 36 Rregullorja detyron Këshillin Bashkiak të ngrejë Komisionin e Brendshëm Financiar, komision i cili funksionon për gjithë periudhën 4-vjeçare, dhe ka në përbërje përfaqësues të mazhorancës dhe të opozitës. Mbi të gjitha ky komision ka për detyrë funksionale kontrollin mbi të ardhurat dhe shpenzimet e kryera nga organi ekzekutiv, pra nga bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj, në përputhje me buxhetet e miratuara vjetore.

Që prej korrikut 2023, praktikisht çdo muaj, në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, në cilësinë e NënKryetarit të Këshillit dhe automatikisht edhe anëtar i Kryesisë së këtij Këshilli, kam kërkuar zyrtarisht ngritjen e këtij komisioni, por jam përballuar me heshtjen dhe mohimin e kësaj kërkese ligjore. Kanë kaluar 10 muaj nga konstituimi i Këshillit Bashkiak, por mazhoranca bën sikur nuk e sheh dhe nuk e njeh rregulloren.

Edhe gjatë kësaj jave i jam drejtuar dy herë zyrtarisht Kryesisë së Këshillit Bashkiak, që të fusin në rend të ditës se mbledhjes së Kryesisë të hënën, edhe një pikë shtesë, ngritjen e këtij komisioni, sidomos në kuadër të publikimeve mbi gllabërimet e dhjetëra milionë euro nga funksionarët e lartë të Bashkisë.

Nuk ka asnjë arsye për të mos e ngritur këtë komision, i cili, e përsëris, është një detyrim i rregullores së brendshme të funksionimit të Këshillit Bashkiak.

Nëse mazhoranca e majtë në Këshill do të vazhdojë të refuzojë zbatimin e ligjit dhe rregullores duke mos e ngritur këtë komision, kjo vetëm një gjë do të të thotë: fshehje të së vërtetës, të abuzimeve, të vjedhjeve.