Pas një periudhe bashkëjetese të heshtur me drejtësinë e re, sulmet e sinkronizuara të mazhorancës dhe opozitës ndaj SPAK tregojnë përpjekjet për ta riformatuar institucionin në nëntor, me një drejtues të ri që nuk i shqetëson asnjërin...
Prej muajsh, ka pasur një ekuilibër të heshtur mes opozitës së drejtuar nga Sali Berisha dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Berisha dhe grupi i “qëndrestarëve” e kanë sulmuar në mënyrë të vazhdueshme institucionin, ndërsa krahu i “moderuar” ka bashkëpunuar me të si denoncues apo dëshmitarë. Kjo gjendje i ka sjellë opozitës njëfarë komoditeti politik dhe, për pasojë, një akses të drejtpërdrejtë në informacion apo ndikim të tërthortë mbi dosje konkrete.
Nga ana tjetër, vetë SPAK ka dashur të ruajë balancën për të mos u perceptuar si një zgjatim i mazhorancës. Hetimet ndaj disa figurave të rëndësishme të PS-së janë inicuar ose mbështetur nga denoncime të opozitës. Në këtë mënyrë, SPAK ka ruajtur imazhin e një institucioni mbi palët, të angazhuar në luftën kundër korrupsionit kudo.
Por gjithçka ndryshoi pas shpalljes së Sali Berishës si i pandehur nga prokurori Arben Kraja, me firmën bashkëlidhëse të Altin Dumanit. Pas arrestimit të tij shtëpiak, tensioni mes Berishës dhe SPAK-ut u rrit ndjeshëm, por nuk mori formën e një përplasjeje të hapur. Opozita vazhdoi të kërkonte bashkëpunim me drejtësinë e re, sidomos gjatë betejës për vulën e partisë, që e forcoi legjitimitetin formal të lidershipit të Berishës.
Gjatë kësaj periudhe, koridoret e komunikimit me SPAK mbetën funksionale, dhe disa figura të afërta me ish-kryeministrin patën kontakte të përsëritura me prokurorët. Megjithatë, rezultati nuk solli atë që pritej: Berisha mbeti nën arrest, ndërsa Ilir Meta u përball me një intensifikim të hetimeve për pasuri të pajustifikuara.
Kjo ka sjellë një ndryshim të qartë strategjie nga Berisha, i cili po tenton një linjë më të ashpër ndaj SPAK. Por ky ndryshim, sipas burimeve politike, nuk është vetëm reagim emocional: është pjesë e një lëvizjeje të koordinuar me Edi Ramën, që kërkon të izolojë SPAK-un nga çdo formë mbështetjeje opozitare dhe ta zhveshë atë nga legjitimiteti bipartizan që e ka mbrojtur deri më sot.
Kjo skemë u shfaq qartë në sulmin ndaj Belind Këlliçit, një nga figurat që në heshtje ka pasur kontakte me drejtësinë e re. Sulmi nuk ishte vetëm individual, por një sinjal se opozita po braktis çdo bashkëpunim me SPAK-un.
Sipas burimeve të Pamfletit, Edi Rama ka përgatitur një sondazh që do të publikohet në shtator, ku do të pretendohet se popullariteti i SPAK-ut buron nga mbështetja e qeverisë. Një narrativë e qartë për të krijuar terrenin e ndryshimit.
Kjo do të kulmojë në nëntor, kur përfundon mandati i Altin Dumanit. Burime konfidenciale konfirmojnë se po përgatitet një emër i ri kompromisi, i cili nuk shqetëson as mazhorancën e as opozitën tradicionale. Emërimi i tij pritet të ndodhë në një klimë më të qetë, kur sulmet e njëpasnjëshme të PS dhe PD të kenë dobësuar institucionin dhe e kanë përgatitur publikun për një “ndryshim të domosdoshëm”.
Në këtë lojë të rrezikshme, më shumë se çdo figurë politike, ka për të humbur vetë drejtësia e re. Nëse SPAK izolohet, sulmohet nga të gjitha anët dhe mbetet pa mbështetje ndërkombëtare, ajo mund të humbasë jo vetëm besimin publik, por edhe fuqinë për të vepruar.
Kjo është arsyeja pse sulmi ndaj Belind Këlliçit, i parë në kontekstin aktual, nuk është thjesht një hakmarrje politike, por pjesë e një strategjie më të madhe për neutralizimin e SPAK./Pamfleti
Lini një Përgjigje