
Kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj duke folur sa i takon zgjedhjeve të 14 majit është shprehur se PD-ja, nuk do të mbështesë kandidatët e “Bashkë Fitojmë” në ato bashki ku ata nuk kanë mundur të nxjerrin kandidatë për kryebashkiakë.
Në një intervistë për “A2CNN”, Alibeaj shtoi se në këto bashki, PD-ja do të fokusohet te këshillat bashkiak. Pra në bashki si Elbasani, Shkodra apo Durrësi e të tjera, PD-ja formale nuk do të bëjë thirrje për mbështetje të kandidatit të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, të Berishës dhe Metës.
“Pse nuk do të thuhet nga ana jonë që të votohet një ish demokrat siç është Luçiano Boçi, apo Këlliçi e Cara e shumë të tjerë? Sepse ata sot janë strehuar në një parti të majtë siç është PL", tha Alibeaj.
Alibeaj theksoi se asnjë nga kandidatët e “Bashkë Fitojnë” nuk është për të demokrat, por i cilësoi si përfaqësues të Ilir Metës. I pyetur konkretisht për kandidaturën e Bardh Spahisë në Shkodër, një bastion historik i të djathtëve, Alibeaj përsëriti se qëndrimi do të jetë i njëjtë.
“Unë besoj isha i qartë në atë që u shpreha. Nuk është gara jonë. E kemi fare të qartë. Qëndrimi politik i PD-së në zgjedhjet që vijnë, aty ku kemi vetëm këshilltarë bashkiakë do të jetë votimi i listës së këshilltarëve bashkiakë të PD-së, me numrin 9,” theksoi ai.
Enkelejd Alibeaj solli në vëmendje se për këta kandidatë të dalë nga Primaret, dora ka qenë e shtrirë deri në fillim të marsit. Por, siç shtoi ai, ata treguan se nuk kishin nevojë të garonin nën siglën e PD-së, duke formuar koalicion me një parti të majtë siç është PL.
Lini një Përgjigje