
KAS vendosi hapjen e 229 kutive të materialeve zgjedhore të Qarkut të Vlorës. Vendimi i KAS erdhi pas kërkesës së dy anëtarëve të këtij komisioni, Ledio Braho dhe Elvis Çefa.
Hapja e kutive vjen pas verifikimit të 4 kutive të materialeve të Qarkut Vlorë.
PD pretendon për zhdukjen e fletëve të votimit të papërdorura, ndërsa i kërkoi KQZ pak ditë më parë të verifikojë se ku janë 130 mijë fletë.
Demokratët e drejtuar nga Sali Berisha kanë ngritur pretendimet për fenomenin e ‘trenit bullgar’ në zgjedhjet e 11 majit.
KQZ në anën tjetër thotë se nuk kemi të bëjmë me zhdukje të fletëve të votimit të papërdorura, por me një gabim njerëzor, ku komisionerët në vend se të kishin shënuar në procesverbal sa fletë votimi nuk u përdorën më 11 maj, kanë shënuar zero.
Ndërkohë nga hapja e 4 kutive të Qarkut të Vlorës, KAS tha se u gjetën këto shifra: 584, 578, 401 dhe 659 fletë votimi të papërdorura për secilën kuti të hapur.
Lini një Përgjigje