Politike23 Shkurt 2024, 17:43

Koha për themelimin e një shteti palestinez është pikërisht tani

Shkruar nga Samer Sinijlawi
Koha për themelimin e një shteti palestinez është
Palestina /

Joe Biden duhet të vendosë nëse dëshiron të hyjë në histori si presidenti që nënshkroi certifikatën e lindjes së zgjidhjes së konfliktit përmes krijimit të dy shteteve dhe si ai që hodhi themelet e një Lindje të Mesme të re, të ndërtuar mbi stabilitetin, integrimin, bashkëpunimin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.

Kushtet janë krijuar, ndërsa shumë elementë po krijojnë kombinimin më të mirë të mundshëm. Presidenti amerikan Joe Biden shpalli Doktrinën e tij mbi Lindjen e Mesme. Sauditët kanë bërë me dije synimet e tyre për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin.

Ndërkohë, të gjitha vendet e tjera arabe, përfshirë Egjiptin, Jordaninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, janë të gatshme të angazhohen në një marrëveshje të re rajonale, e cila do të jetë në gjendje të garantojë sigurinë e Izraelitët dhe aspiratat kombëtare për palestinezët.

Në horizont duket paqja mes palestinezëve dhe izraelitëve, e bazuar në zgjidhjen e dy shteteve. Dhe ajo nis njohjen e menjëhershme të një shteti palestinez nga administrata Biden. Një njohje e tillë - në fakt vetë krijimi i një shteti palestinez - do të arrinte njëherazi 3 objektiva.

Së pari, do të izolonte përfaqësuesit dhe agjentët e Iranit në rajon, diçka që do të ishte me një interes strategjik jo vetëm për Izraelin, por edhe për SHBA-në. Së dyti, ky zhvillim do t'i hapte gjithashtu rrugën ndërtimit të një aleancë sigurie SHBA-Arabi Saudite që do të përfshinte normalizimin e raporteve të Riadit me Tel Avivin.

Dhe më e rëndësishmja do t'i jepte fund luftës, duke siguruar lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura izraelite, si dhe tërheqjen e plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës. Është e domosdoshme të garantohet që forcat izraelite të mos kenë më arsye për t'u kthyer në Gaza, dhe për t'i dhënë fund rrethimit të tyre ushtarak.

Marrëveshjet e sigurisë, duhet të përfshijnë një forcë tranzitore arabe, e cila do të ketë për detyrë të sigurojë kufijtë nga ata që kërcënojnë si palestinezët po ashtu edhe izraelitët. Formimi i kësaj force arabe, duhet të ketë një mandat të qartë dhe një afat kohor specifik.

Misioni i saj kryesor duhet të jetë marrja nën administrim e Gazës nga forcat izraelite në një mënyrë të organizuar dhe më pas dorëzimi i kësaj kompetence qeverisë së re palestineze, për të siguruar masat e sigurisë në kufirin midis Gazës me Izraelin dhe garantimin e sigurisë për të dy popujt.

Në përputhje me këto synime ndërkombëtare dhe rajonale, plani duhet të përfshijë dy udhëheqës palestinezë, të cilët janë të dy kundërshtarë të presidentit aktual të Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas. Mohammed Dahlan, është aktualisht një nga udhëheqësit politikë palestinezë më me ndikim.

Edhe dr.Naser Al Kidwa, është kandidati më i fortë për të udhëhequr një ditë qeverinë e bashkuar dhe reformatore të Palestinës. E nesërmja e luftës që po zhvillohet aktualisht do të kërkojë një Autoritet Palestinez më të fortë dhe me kompetencat e duhura.

Abbas duhet të mbetet president i Autoritetit Palestinez me të gjitha simbolet dhe privilegjet aktuale të asaj zyre, duke përfshirë rezidencën, zyrën, stafin, transportin dhe buxhetin e tij. Si drejtues nominal i institucioneve palestineze, ai do të kishte një rol ceremonial si presidentët e Italisë apo Gjermanisë.

Por pushtetet ekzekutive dhe legjislative, duhet t'i kalojnë një qeverie të re të unifikuar, dhe ato duhet të transferohen përmes një kryeministri që do të jetë përgjegjës për administrimin e Bregut Perëndimor dhe Gazës. Pjesa më e madhe e Gazës është përballur me shkatërrime të mëdha.

Veriu është bërë thuajse i pabanueshëm. Atje nuk ka ujë, janë shkatërruar kanalizimet e ujërave të zeza dhe mungon energjia elektrike. Ne duhet të rivlerësojmë nga e para gjendjen e termocentraleve dhe linjave elektrike, impianteve të shkripëzimit të ujit të detit, rezervuarët dhe transportuesit e ujit, stokun e banesave, spitaleve, shkollave, tokat bujqësore dhe të gjithë infrastrukturës më të rëndësishme.

Ne duhet që të nisim ta planifikojmë menjëherë këtë punë, duke u mbështetur tek imazhet satelitore dhe analizat me burime nga terreni. Joe Biden duhet të vendosë nëse dëshiron të hyjë në histori si presidenti që nënshkroi certifikatën e lindjes së zgjidhjes së konfliktit përmes krijimit të dy shteteve dhe si ai që hodhi themelet e një Lindje të Mesme të re, të ndërtuar mbi stabilitetin, integrimin, bashkëpunimin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.

Apo nëse dëshiron të mbahet mend si presidenti që firmosi certifikatën e vdekjes së zgjidhjes me 2 shtete, dhe që e la rajonin të fundosur në mjerimin e vet. Ne kemi shumë pak kohë në dispozicion për t'i dhënë fund gjithë kësaj çmendurie. Koha është pikërisht tani./ Përshtati Pamfleti nga “Newsweek”

Shënim: Samer Sinijlawi, aktivist politik dhe analist politik palestinez nga Jeruzalemi Lindor. Ai është kundërshtar i lëvizjes Fatah të presidentit palestinez Mahmud Abbas dhe është kryetar i Fondit të Zhvillimit të Jerusalemit.

shteti palestinez