Politike24 Prill 2023, 20:25

Kolegji Zgjedhor rrëzon PD, zyrtarizon Qerim Ismailajn si kandidat për Bashkinë e Mallakastrës

Shkruar nga Pamfleti
Kolegji Zgjedhor rrëzon PD, zyrtarizon Qerim Ismailajn si kandidat
Qerim Ismailaj

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar ankimimin e Partisë Demokratike për Qerim Ismailajn.

Pas vendimit të ditës së sotme, Kolegji Zgjedhor cakton se Ismailaj do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit si kandidat të PS-së për bashkinë e Mallakastrës.

PD ankimoi vendimin e marrë nga KAS në 19 prill, ku emri i Ismailajt u la në fletën e votimit.

Risjellim në vëmendje se PD kërkoi çregjistrimin e tij me argumentin se ishte dënuar me 6 muaj burg nga gjykata për falsifikim dokumentesh dhe për këtë arsye është subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Ndërsa përfaqësuesi i kandidatit të PS, avokati Andi Skënderi tha se dënimi për Ismailajn ishte konvertuar në orë punë publike dhe se Qerim Ismailaj nuk shkelte ligjin për të kandiduar.

Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj është dënuar në muajin shkurt nga GJKKO me 6 muaj burg, dënim që iu konvertua me 40 orë pune për interes publik, me akuzën për “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Ismailaj është dënuar nga GJKKO për falsifikim dokumentesh, pasi ai ka rezultuar i dënuar më parë në Greqi, pasi ka rrahur një person në vitin 1999. Ismailaj nuk e kishte deklaruar këtë në formularin e dekriminalizimit, por ka thënë se s’ka qenë në dijeni të këtij dënimi në Greqi. Ka qenë vetë Partia Demokratike që ka denoncuar dënimin e Ismailajt në Greqi, që më pas u zbulua nga përgjigja e letër porosisë greke.

kolegji zgjedhor pd qerim ismailaj mallakaster