TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Korrik 2026, 22:57

Protesta nuk ndalet, mijëra qytetarë zbresin drejt Zogut të Zi

Shkruar nga Pamfleti
Protesta nuk ndalet, mijëra qytetarë zbresin drejt Zogut të Zi
Vijon marshimi

Protesta kombëtare e ditës së 35-të vijon ende në rrugët e kryeqytetit. Pasi marshuan drejt Komisariatit nr. 3, ku kërkuan lirimin e protestuesve të arrestuar pas përplasjeve me policinë të së enjtes, mijëra qytetarë kanë vijuar lëvizjen drejt Zogut të Zi.

Kolona e protestuesve përshkon rrugët kryesore të Tiranës, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë të brohorasin me të njëjtin intensitet si gjatë tubimit para Kryeministrisë.

Rrugët e kryeqytetit oshëtijnë nga thirrjet "Rama ik", "Rama jepe dorëheqjen", "Ju erdhi fundi", "Revolucion", "Rama në burg, Berisha në burg" dhe "Lironi çunat", kjo e fundit në mbështetje të protestuesve që vijojnë të mbahen në paraburgim.

Marshimi i sotëm është më i gjati dhe më masivi që nga nisja e kësaj lëvizjeje qytetare. Pas tubimit para Kryeministrisë, ndalesës te Komisariati nr. 3 dhe vijimit drejt Zogut të Zi, protesta ka përshkuar një pjesë të madhe të Tiranës, duke e kthyer kryeqytetin në qendër të revoltës qytetare.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta nuk do të ndalet, ndërsa qytetarët kanë përsëritur se do të vijojnë mobilizimin deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, me në krye dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe lirimin e protestuesve të arrestuar.

protesta

Lini një Përgjigje