Afrimi me familjen Trump, po i kushton shtrenjtë kryeminsitrit shqiptar...
Edi Rama, të paktën publikisht, nuk po shfaq shqetësim se protestat që shpërthyen më shumë se tre javë më parë mund ta largojnë nga pushteti. Ato lidhen me akuzat për korrupsion gjatë katër mandateve të tij radhazi si kryeministër që nga viti 2013.
Por protestat mund ta komplikojnë përpjekjen e gjatë të Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, i cili tashmë ka shprehur pakënaqësi për ndërhyrjet e Tiranës në kuadrin ligjor.
Rama, duke përshkruar dëshirën e vendit të tij për t'u bërë pjesë e bllokut evropian, e krahasoi së fundmi Shqipërinë me "talebanët e BE-së".
Ai nuk ka ngurruar as të përdorë fjalor vulgar ndaj protestuesve që kërkojnë dorëheqjen dhe ndjekjen e tij penale, për shkak se ka lejuar investitorë të pasurive të paluajtshme të ndërtojnë resorte luksoze në dhe pranë një zone natyrore të mbrojtur. Pikërisht për këtë arsye protestat janë quajtur "revolucioni i flamingove".
"Unë u them: fuck you. Kaq e thjeshtë," tha ai për Financial Times këtë javë.
Përfshirja e Ivanka Trump, vajzës së presidentit Donald Trump, dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner në projektet e pasurive të paluajtshme ka bërë që Shqipëria të përfshihet edhe në një luftë amerikane në rrjetet sociale mes së majtës dhe së djathtës, ku shumë prej pjesëmarrësve me gjasë do ta kishin të vështirë ta gjenin Shqipërinë në hartë.
Demonstratat nisën më 31 maj, kur buldozerët filluan të pastronin tokën pranë rezervatit Pishë Poro-Nartë, laguna e të cilit është habitat i flamingove dhe shumë specieve të tjera. Kushner ka interesa për një resort në këtë zonë, si edhe për një tjetër në ishullin e afërt të Sazanit.
Rama këmbëngul se projekti i Kushnerit po shqyrtohet sipas standardeve të BE-së përmes një vlerësimi të ndikimit në mjedis dhe se shumë shqiptarë e mbështesin zhvillimin.
Refuzimi i oligarkisë globale
Por pozita e Ramës nuk u ndihmua kur, në fillim të qershorit, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, nisi një operacion të madh kundër një rrjeti të dyshuar ndërkombëtar të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Prokurorët shqiptarë thonë se të ardhurat kriminale janë kanalizuar në sektorë si pasuritë e paluajtshme, ndërtimi dhe hoteleria, ndërsa u sekuestruan asete me vlerë rreth 150 milionë euro.
Shqipëria ka lëshuar gjithashtu urdhërarreste për më shumë se dhjetë biznesmenë për trafik droge dhe pastrim parash, përfshirë një person që më parë kishte në pronësi tokë në zonën ku pritet të zhvillohet projekti i Kushnerit.
Artur Shehu, një shqiptar që jeton në Miami, akuzohet nga SPAK se ka blerë tokë dhe ka përdorur projekte ndërtimi në Shqipëri për të pastruar para për trafikantë droge.
Ai i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se kishte rënë dakord ta shiste tokën te Kushner dhe investitorët përmes një ndërmjetësi të paidentifikuar.
Ndërkohë, amerikanët po mbështesin protestuesit shqiptarë. Senatori Bernie Sanders shkroi në X se ata po refuzojnë "oligarkinë globale".
Alex Jones, teoricien konspiracioni i së djathtës, tha se protestuesit po përpiqen të rimarrin tokën e tyre "nga Izraeli, Kushner, Rothschildët dhe Ivanka Trump", sipas New York Times.
Rama e ka akuzuar disa herë Teheranin se qëndron pas protestave në Shqipëri, vend që pret selinë e fortifikuar të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, grup opozitar iranian që u zhvendos nga Iraku në vitin 2013.
Rastësisht, Eric Adams, kryebashkiak i Nju Jorkut deri në vitin 2025, mori shtetësinë shqiptare dhe u regjistrua si banor i Tiranës në prill. Ai ishte përballur me një çështje federale korrupsioni deri në rrëzimin e saj nga administrata Trump.
Aktakuza e vitit 2024 e akuzonte atë se kishte bërë favore politike për përfaqësues të qeverisë turke në këmbim të ryshfeteve.
Surrealizmi rreth Shqipërisë
Surrealizmit që rrethon Shqipërinë i shtohen edhe kritikat për interesat e shumta të Ramës, përfshirë rolin e tij si artist. Ai u detyrua të shpjegonte se e kishte financuar si qytetar privat udhëtimin në Zvicër, ku ekspozita Art Basel po paraqet një nga veprat e tij, një skulpturë bronzi.
"Ai shpesh i bën vizatimet dhe skicat e tij mbi dokumente zyrtare qeveritare, kalendarë dhe email-e të printuara," thuhet në informacionin e ekspozitës.
Për momentin, protestuesit shqiptarë mbeten të paorganizuar dhe duken më pak kërcënim politik sesa grupime të ngjashme opozitare në Serbi dhe Bullgari.
Por kritikët politikë, jo ata të artit, e kanë vënë re këtë.
"Ndonjëherë, Rama duket më pak i interesuar të jetë kryeministër sesa të bëhet figurë historike. Ai është politikan, piktor, autor, mbështetës arkitektësh, dizenjues kravatash, intelektual publik dhe kurator kulturor, të gjitha të përmbledhura në një personalitet të ndërtuar me kujdes. Ai nuk e qeveris thjesht Shqipërinë. Ai e performon Shqipërinë", shkroi autori shqiptar Fron Nahzi.
Javën e kaluar, Parlamenti Evropian votoi në mbështetje të protestuesve dhe i bëri thirrje qeverisë të ndalojë projektet e zhvillimit të lidhura me Kushner. Brukseli vazhdon gjithashtu t'i kërkojë Tiranës të shfuqizojë ligjin që u lejon investitorëve strategjikë të përshpejtojnë zhvillime të ngjashme.
Për momentin, protestuesit shqiptarë mbeten të paorganizuar dhe duken më pak kërcënim politik sesa grupime të ngjashme në Serbi dhe Bullgari. Por Rama duhet të tregojë përparim në reformat ligjore nëse Brukseli do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim.
Operacionet e fundit të SPAK synojnë të tregojnë se vendi e ka seriozisht. I mbetet Brukselit të vendosë nëse kjo mjafton. /Përshtatur nga “Tomorrow’s Affairs”
Lini një Përgjigje