
Kriza në Partinë Demokratike vijon të jetë një nga temat që diskutohet më së shumti pasi PD nuk po gjen derman. Lidhur me vendimin e Bashës për të përjashtuar 11 deputetë nga grupi parlamentar, deputeti Saimir Korreshi nuk e sheh si problematike edhe nëse i rezervohet i njëjti ‘fat’ nga Basha.
Ai thotë se Basha e ka kthyer PD një parti private.
“Kjo është kthyer në një parti private. Deri diku ne besuam dhe shpresuam sepse e dinim që një non grata nuk i bën mirë PD. Aty jam dhe unë, se nuk e njoh si pjesë e PD. Punë e madhe po më përjashtoi ai. Ky kuvendi privat i Bashës mendoj se s’ka marrë formë ligjore. Sepse ka rregulla. Në 2025 do përballet me situatën, njerëzit do kërkosh votë", tha Korreshi për “Report Tv”.
Korreshi u shpreh gjithashtu se edhe fakti që Basha nuk doli me një kandidat në Kukës tregoi shumë për partinë. Sipas tij, askush nuk pranon të dalë nën siglën e Bashës pasi do i denigrohej figura. Ndër të tjera ai u shpreh se Basha ka shpenzuar paratë e fushatës, ndërsa theksoi se Bardhi nuk ka prekur asgjë.
“Ai s’ka njerëz, s’ka mbështetje. Basha po shfrytëzon dhe duke përdorur dhe lekët e fushatës. Mirë është ta pyesni ku shkojnë lekët, ka paguar vetëm dritat. Ku ishte zoti Basha më 14 maj apo hante byrek në Holandë. Ja në Kukës pse nuk doli me kandidat ai? Po normale se s’ka njerëz nuk futet njeri se do fëlliqet", tha Korreshi.
Lulzim Basha largoi nga grupi parlamentar i PD 11 deputetë të rreshtuar në krah të Rithemelimit të Sali Berishës. Vendimi lë jashtë grupit parlamentar të gjithë deputetët e Rithemelimit, ndërsa pjesë e tij zyrtarisht do të jenë deputetët mbështetës të Bashës dhe Gazment Bardhit.