Mes kërkesave të protestuesve, kufizimi i mandatit të kryeministrit mund të jetë reforma më e rëndësishme politike që nga viti 1990...
Mes kërkesave të paraqitura nga protestuesit para Kryeministrisë, njëra spikat mbi të gjitha të tjerat. Nuk është dorëheqja e Edi Ramës, as qeveria teknike dhe as ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Është propozimi për kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës së një individi.
Në pamje të parë duket si një ndryshim kushtetues. Në realitet, është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj modelit politik që ka dominuar Shqipërinë për më shumë se tre dekada.
Nëse një rregull i tillë do të ishte vendosur vite më parë, sot as Edi Rama dhe as Sali Berisha nuk do të ishin më protagonistët kryesorë të politikës shqiptare. Të dy bashkë kanë dominuar jetën politike të vendit për më shumë se 30 vjet, duke u kthyer në figurat që kanë përcaktuar pothuajse çdo betejë elektorale, çdo krizë dhe çdo zhvillim të madh politik.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e kësaj kërkese. Ajo nuk synon thjesht largimin e një qeverie. Synon t'i japë fund një kaste politike që riciklon vazhdimisht të njëjtët emra dhe të njëjtat figura.
Protestuesit argumentojnë se Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për rotacion pushteti, por për rotacion elitash. Sepse nëse ndryshon qeveria, por mbeten të njëjtët liderë, atëherë sistemi vazhdon të funksionojë sipas të njëjtës logjikë.
Shembulli më i afërt vjen nga Hungaria. Pas 16 vitesh në pushtet, Viktor Orbán u largua dhe në krye të qeverisë erdhi Péter Magyar, figura që ndërtoi fushatën e tij mbi nevojën për rinovim politik, kufizim të pushtetit dhe çmontim të mekanizmave që lejojnë dominimin e gjatë të një lideri të vetëm.
Në Shqipëri, debati duket edhe më i vonuar. Rama dhe Berisha janë ende figurat që dominojnë skenën politike, pavarësisht se vendi ka hyrë në dekadën e katërt të pluralizmit.
Për këtë arsye, kërkesa për kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate mund të jetë propozimi më revolucionar i dalë nga protesta. Ajo do të krijonte detyrimisht hapësirë për breza të rinj politikanësh dhe do të pamundësonte ndërtimin e pushteteve personale që zgjasin me dekada.
Në fund të fundit, demokracia nuk matet vetëm me zgjedhje të lira. Matet edhe me aftësinë për të prodhuar liderë të rinj. Dhe ndoshta për herë të parë pas shumë vitesh, protestuesit kanë hedhur në tavolinë një ide që prek rrënjën e problemit politik shqiptar: jo thjesht kush qeveris, por sa gjatë mund të qeverisë. /Pamfleti
Kthesë drejt bythlëpirjes së "Kastës të superkorruptuar dhe kriminalizuar'.