TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Qershor 2026, 18:46

Miku i Ramës nën zjarr, si po e fundosin skandalet kryeministrin spanjoll

Shkruar nga Pamfleti
Miku i Ramës nën zjarr, si po e fundosin skandalet kryeministrin
Sanchez-Rama

Nga bashkëshortja te vëllai, nga mentorët politikë te ministrat e besuar, kryeministri spanjoll po përballet me krizën më të rëndë të mandatit të tij...

Për vite me radhë, Pedro Sánchez është paraqitur si një nga figurat më të rëndësishme të së majtës europiane. Një aleat politik i Edi Ramës, i pranishëm në samite dhe takime të shumta me kryeministrin shqiptar, Sánchez u shfaq si modeli i një lideri progresist që mbijetoi në një Europë ku e djathta po fitonte terren.

Por sot, kryeministri spanjoll po përballet me momentin më të vështirë të karrierës së tij politike.

Brenda pak muajsh, një seri hetimesh, bastisjesh, arrestimesh dhe dënimesh kanë goditur njerëzit më të afërt të tij, duke krijuar përshtypjen se rrethi po ngushtohet gjithnjë e më shumë rreth liderit socialist.

Goditja më e fundit erdhi këtë javë, kur Gjykata Supreme e Spanjës dënoi ish-ministrin e Transportit, José Luis Ábalos, me 24 vite burg. Ai u shpall fajtor për pjesëmarrje në organizatë kriminale, ryshfet, përvetësim fondesh publike dhe trafik influence në një skemë që lidhej me kontratat publike gjatë pandemisë së Covid-19.

Në të njëjtën dosje, ish-bashkëpunëtori i tij i afërt Koldo Garcia u dënua me 19 vite burg, ndërsa biznesmeni Víctor de Aldama mori një dënim prej katër vitesh e gjysmë, i pezulluar për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë.

Por kjo është vetëm një pjesë e problemit.

Prej muajsh, në qendër të hetimeve ndodhet edhe bashkëshortja e Sánchez, Begoña Gómez. Një gjykatë në Madrid i ka sekuestruar pasaportën, i ka ndaluar largimin nga Spanja dhe e ka detyruar të paraqitet periodikisht në gjykatë, ndërsa vijon hetimi për akuza korrupsioni.

Presioni nuk ndalet këtu.

Autoritetet spanjolle kanë hetuar edhe vëllain e kryeministrit, ndërsa në dosje të ndryshme janë përfshirë figura të larta të Partisë Socialiste.

Kulmi i krizës politike u arrit kur policia spanjolle bastisi selinë qendrore të Partisë Socialiste në Madrid. Hetimet lidhen me dyshime për financim të paligjshëm, trafik influence dhe korrupsion.

Një tjetër emër që ka tronditur politikën spanjolle është ai i ish-kryeministrit socialist José Luis Rodríguez Zapatero, mentori politik i Sánchez dhe një prej figurave më me ndikim në të majtën spanjolle.

Zapatero u përfshi në një hetim që lidhet me shpëtimin financiar prej 53 milionë eurosh të kompanisë ajrore “Plus Ultra” gjatë pandemisë. Autoritetet kanë kryer kontrolle në ambientet e lidhura me të dhe kanë sekuestruar dokumente, ora luksoze, bizhuteri dhe sende me vlerë.

Në të njëjtën kohë, biznesmeni Víctor de Aldama, tashmë i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, ka bërë deklarata që tronditën Madridin politik, duke pretenduar se Sánchez ishte në dijeni të një skeme manipulimi të kontratave publike dhe kanalizimit të fondeve drejt strukturave partiake.

Deri tani, asnjë organ hetimor nuk e ka shpallur Pedro Sánchez të dyshuar dhe vetë kryeministri spanjoll i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat. Ai këmbëngul se bëhet fjalë për një fushatë politike të orkestruar nga kundërshtarët e tij.

Megjithatë, fakti që ministri i tij i besuar është dënuar, bashkëshortja është nën hetim, mentori politik është përballur me akuza dhe selia e partisë është bastisur nga policia, ka krijuar një klimë të paprecedentë presioni mbi qeverinë socialiste.

Për Edi Ramën, zhvillimet në Madrid kanë edhe një dimension politik. Sánchez ka qenë një nga aleatët më të afërt europianë të kryeministrit shqiptar. Të dy liderët kanë ndarë shpesh të njëjtën skenë politike në samite ndërkombëtare dhe kanë kultivuar një raport të afërt politik.

Por ndërsa Sánchez përballet me skandalet që kanë mbërthyer rrethin e tij më të afërt, Rama vetë ndodhet në një moment të trazuar politik në Tiranë, ku protestat kundër qeverisë së tij kanë hyrë në javë të tëra mobilizimi.

Në të njëjtën kohë, një tjetër aleat rajonal i Ramës, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, po përballet me protesta të forta dhe një klimë të tensionuar politike në Serbi.

Pak muaj më parë, edhe Viktor Orbán, një tjetër figurë me të cilën Rama ka ruajtur marrëdhënie të mira politike, iku nga qeveria. 

Ndaj, nëse deri dje Sánchez shihej si një nga politikanët më të fortë të së majtës europiane, sot ai po lufton për mbijetesë politike. Dhe ndërsa hetimet vazhdojnë të afrohen gjithnjë e më shumë pranë qendrës së pushtetit në Madrid, pyetja që shtrohet është nëse kryeministri spanjoll do të arrijë të mbijetojë edhe këtë stuhi, apo do të bëhet lideri i radhës europian që bie nën peshën e skandaleve që kanë goditur njerëzit më të afërt të tij. /Pamfleti

sanchez rama

1 Komente

  1. E
    Erd

    Po e ‘fundos’ qëndrimi kudra israleshit ,jo skandalet

    Lini një Përgjigje