Politike15 Korrik 2023, 21:08

Kurti refuzon sërish Ramën/ Liderët e rajonit të hënën në Tiranë, kryeministri i Kosovës injoron ftesën

Shkruar nga Pamfleti
Kurti refuzon sërish Ramën/ Liderët e rajonit të
Rama-Kurti

Raportet mes kryeministrit Edi Rama dhe Albin Kurtit vijojnë të jenë të tensionuara. Pas refuzimit që i bëri gjatë vizitës në Prishtinë, mësohet se Albin Kurti, të paktën deri më sot, ka refuzuar një ftesë nga qeveria shqiptare për të marrë pjesë në një takim mbi Procesin e Berlinit që do të mbahet të hënën në Tiranë.

Sipas informacioneve, kryeministri Rama ka ftuar në një darkë informale liderët e rajonit dhe përfaqësuesin e BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyin.

Në takim kanë konfirmuar pjesëmarrjen kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç, kryeministri i RMV Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Bosnjës dhe ajo e Serbisë. I vetmi që deri më tani nuk ka kthyer një përgjigje është Albin Kurti.

Vetë Rama pak ditë më parë mbajti një tur takimesh në Maqedoni, Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe në Bosnje për të folur rreth këtij takimi dhe Procesit të Berlinit. I vetmi që nuk e takoi ishte Kurti, pasi pati përplasje mes tyre mbi situatën në veri. Rama kur foli me gazetarët e paralajmëroi se ndoshta Albin Kurti më 17 korrik nuk do të ishte në Tiranë.

“Pas kësaj vizite dy ditore, unë kam parashikuar që të bëjmë një takim informal në Tiranë në fillim të javës midis 17-18 korrikut me Brukselin për të folur për këtë. Dhe ia kam bërë shumë të qartë. Nëse takimi informal do të mbahet në Tiranë, unë nuk e bëj me 5, me 6 kështu që Albini është i ftuar të vijë në Tiranë. Do t’i shkojë dhe ftesa zyrtare kuptohet, jo me WhatsApp, po dhe me WhatsApp. Të vijë në Tiranë të marrë pjesë në proces”, tha Rama në Kosovë.

Deri më tani sinjalet janë se ujërat mes Tiranës dhe Prishtinës nuk do të qetësohen. Tentativat e Ramës për të ndërhyrë në raportet Kosovë-Serbi, por dhe sulmet e vazhdueshme ndaj Kurtit kanë bërë që raportet mes dy kryeministrave të jenë shumë të ftohta.

rama kurti samit