Aktualitet31 Korrik 2023, 15:37

Kush po tenton të kapë KLGJ dhe KLP? SHBA vihet në lëvizje për të bllokuar manovrat e politikës

Shkruar nga Pamfleti

Kush po tenton të kapë KLGJ dhe KLP? SHBA vihet në lëvizje

Shtetet e Bashkuara janë vënë në lëvizje për të ndaluar planet e politikës për të kapur Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Organet e qeverisë së gjyqësorit do të rinovohen dhe të gjithë duan të kenë pjesë aty. KLP dhe KLGJ kanë në dorë emërimet në SPAK dhe në të gjitha prokurorët e gjykatat e vendit dhe gjithmonë politika ka tentuar të ndërhyjë te caktimi i anëtarëve.

Si duket ndërkombëtarët e kanë nuhatur se edhe këtë vit mund të ketë të tilla manovra dhe janë vënë në lëvizje. Zv/ambasadori i SHBA bashkë me homologun e tij të BE kanë takuar sot Avokaten e Popullit, duke kërkuar prej saj të bëjë kujdes. Avokati i Popullit është ai që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve dhe sot ambasadorët i kanë shkuar në zyrë Ballancës duke parlajmëruar monitorim të rreptë.

I ngarkuari me Punë i SHBA Demian Smith dhe i Ngarkuari me Punë i BE-së Alexis Hupin u takuan së bashku me Avokaten e Popullit të Shqipërisë, znj. Erinda Ballanca, sot, për të diskutuar procesin e rinovimit të anëtarëve jo-magjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Ata theksuan rolin kritik të Avokatit të Popullit në sigurimin e konkurrencës së bazuar në merita, të ndershme dhe transparente për anëtarët e rinj jo-magjistratë të KLGJ dhe KLP. Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian do të ndjekin dhe mbështesin nga afër këtë proces në të gjitha fazat duke pasur parasysh rolin qendror të të dy Këshillave në progresin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi në Shqipëri”, njoftoi ambasada e SHBA.

Reagimi i saj vjen pak ditë pas reagimit të bërë kur u hap gara. Sipas ambasadës, këto dy institucione janë në themel të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ndërsa vijon më tej se, gjashtë anëtarë të rinj do t’i bashkohen çdo Këshilli, 3 anëtarë jo-magjistratë dhe 3 anëtarë magjistratë, me një mandat pesë-vjeçar.

“Ambasada e SHBA nxit të gjithë kandidatët e kualifikuar të aplikojnë për të siguruar një proces të drejtë, konkurrues dhe një tranzicion të suksesshëm. Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët tanë, do ta ndjekim nga afër këtë proces në muajt në vijim”, shprehej ambasada.

 

klp klgj