Aktualitet31 Korrik 2023, 10:49

Operacioni i kushtueshëm i Genc Fugës, mjeku Dasho: Duhet reformim në sistemin shëndetësor

Shkruar nga Pamfleti

Operacioni i kushtueshëm i Genc Fugës, mjeku Dasho: Duhet reformim

Aktori Genc Fuga po lufton për jetën duke iu nënshtruar një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale në Spitalin Amerikan. Kostoja e lartë e kësaj ndërhyrjeje ka ndërgjegjësuar shumë miq të artistit por edhe ka ngritur shqetësimin e madh nga ekspertët për një reformim në sistemin shëndetësor.

Të tillë shqetësim e ka ngritur mjeku i njohur, Erion Dasho i cili në një postim në Facebook liston disa prej ndryshimeve urgjente që i duhen medoemos sistemit shëndetësor. Braktisja e sektorit publik është një fenomen shumë shqetësues për vendin tonë, pasi nuk parasheh alternativë për qytetarët e thjeshtë.

“DUHET NDRYSHIM! SA MË PARË!

Shumë shpesh shkruaj e flas për nevojën e reformimit të sistemit shëndetësor, për reformën në sistemin e financimit dhe pagesave (të cilin personalisht e shoh të lidhur me sigurimet shëndetësore sociale), etj., dhe jo rrallë marr komente se kjo gjë u duket shumë teorike lexuesve dhe dëgjuesve.

Sot, një ndër aktorët dhe regjisorët e njohur shqiptarë është duke u trajtuar në një strukturë shëndetësore private për një urgjencë shëndetësore dhe familjarët kërkojë ndihmë nëpërmjet mbledhjes së fondeve për të përballuar faturën e operacionit.

Ky rast hap një numër të pafund problemesh, ku unë do të veçoja:

Së pari, është turp për një shtet europian që një ndërhyrje kirurgjikale e urgjencës realizohet në një spital privat dhe jo në QSUT. Mjafton ky rast që QSUT, dikur e drejtuar edhe nga klarinetistë, të humbasë statusin e një qendre terciare.

Së dyti, është skandal që pagesa për shërbimet jetëshpëtuese të ofruara nga strukturat shëndetësore private nuk mbulohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Ka më shumë se dhjetë vjet që ka nisur blerja e shërbimeve private nga Fondi, por lista e shërbimeve që blihen ka mbetur e limituar dhe klienteliste.

Së treti, shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen se mjekët janë duke u larguar jo vetëm jashtë vendit, por edhe brenda Shqipërisë janë duke braktisur sektorin publik. Fakti që një ndërhyrje neurokirurgjikale bëhet vetëm në një spital privat, flet shumë.

Duke i uruar aktorit shërim të shpejtë dhe të plotë dhe duke qënë i bindur se statura e tij do të bëjë të mblidhen jo 19 mijë eurot e nevojshme për të paguar ndërhyrjen kirurgjikale, por shumë më tepër se kaq, nuk mund të mos mendoj qytetarët e thjeshtë që ose duhet të shesin shtëpi e katandi për të përballuar fatura të tilla, ose duhet të vdesin.

Kjo situatë nuk mund të zgjasë më! Duhet ndryshim!”-shkruan Erion Dasho.

Pas një goditje në tru, aktori Genc Fuga duhej t’i nënshtrohej urgjent një ndërhyrjeje kirurgjikale që i kushtoi 19 mijë euro në spitalin privat Amerikan. Në pamundësi që familjarët e Fugës të paguanin këtë shumë të lartë, dashamirës të artistit kanë kontribuar duke mbledhur shumën dhe duke bërë të mundur operimin e aktorit.

erion dasho reformim sistemi shendetesor