TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Gusht 2025, 17:39

Kuvendi i ri, a do pranojë Sali Berisha të drejtojë seancën e parë?

Shkruar nga Pamfleti

Kuvendi i ri, a do pranojë Sali Berisha të drejtojë seancën

Në shtator nis punimet Kuvendi i ri, i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, ndërsa data e mbledhjes së parë do të përcaktohet me një dekret të Presidentit.

Kuvendi ekzistues pushon së funksionuari më 9 shtator, ndërsa në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i ri duhet të mblidhet jo më vonë se 10 ditë nga kjo datë.

E ndërsa pritet dekreti i Presidentit të Republikës që do të hedhë dritë mbi atë se kur do të mbahet seanca e parë, një tjetër pikëpyetje është se kush do e drejtojë këtë seancë?

Në bazë të rregullores së Kuvendit, seancën e parë, e cila është konstituive, pa një rend dite dhe pa debate, duhet ta drejtojë deputeti më i vjetër. Në rastin konkret deputeti më i vjetër në Kuvend është Sali Berisha, kreu i PD-së dhe ish-Kryeministër. Nuk dihet nëse këtë rradhë Berisha do të pranojë ose jo të drejtojë seancën e parë, por 4 vjet më parë ka refuzuar ta ushtrojë këtë detyrë.

Dhe nëse Berisha refuzon, atëherë emri i rradhës është ai i Tritan Shehut, një tjetër deputet demokrat, që ashtu si kreu demokrat janë pjesë e Parlamentit që prej 1991.

Nuk është çudi që edhe Shehu të refuzojë drejtimin e seancës së parë të Kuvendit të ri, çka do të thotë se stafeta do të kalojë në duart e socialistëve, ku më i vjetri në moshë është Vasil Llajo, 69 vjeç. Dhe i katëri në listë, si deputeti me moshën më të vjetër, renditet Fatmir Xhafa.

Në Kuvendin e ri, do të ulen për herë të parë 72 ligjvënës, 53 prej të cilëve janë pjesë e grupit të PS-së.

Lini një Përgjigje