
Babloku nuk ka nevojë as për mbledhje, as për konsulta, as për këshillime, madje as për të ruajtur ndonjë balancë. Madje, sot ka luksin që të zgjedhë ‘teknicienët’ jo vetëm nga rradhët e Rilindjes apo shoqërisë civile, por edhe nga opozita, pavarësisht emërtimit apo siglës që ka...
Edi Rama ka arritur që për përbërjen e Qeverisë së re të mos ketë asnjë debat, asnjë vendimmarrje në forume partiake, asnjë këshillim apo qoftë edhe diskutim, sado formal.
“Babloku” gjithçka e vendos vetë, madje i pëlqen të surprizojë, kur njofton befas se cilin zgjedh të ketë në Qeveri apo kush duhet të largohet nga posti.
Këtë skemë e kemi parë shpesh të përsëritet sa herë i duhet që të ‘rifreskojë’ apo paraqesë përbërje qeverish.
Dhe tani, në emër të mandatit të 4-rt si Kryeministër, ‘Bablokut’ formalisht i duhet të rendisë disa emra që do të përbëjnë qeverinë e re, për të vijuar me procedurat e miratimit në Kuvend dhe dekretimit.
Thuhet se Rama i ka gati emrat në një fletë të verdhë, ndërsa thjesht po mendon mënyrën se si do t’i hedhë në treg, nga ku njerëzit do të mësojnë se cilët do të jenë ata që do të përbëjnë skuadrën e ‘Bablokut’.
Mandati i katërt qeverisës pa ndërprerje është një gjë e rrallë, jo vetëm në politikën shqiptare, por edhe në Europë. Dhe si një moment i rrallë, duket se ‘Babloku’ po mendon skenarin se si do të surprizojë; nuk ka rëndësi nëse emrat kanë ose jo eksperiencë të mëparshme, vijnë ose jo nga politika, thjesht duhet shtuar kurioziteti, duhen mbajtur në ankth 1, 2 apo 10 emra, që hera herës qarkullojnë me lejen e ‘Bablokut’ si kandidatë për ministra.
Dhe ky është një nga momentet që e kënaq, pasi emrat nuk qarkullojnë për të testuar grupin e PS-së as opinionin, thjesht për të parë se si ato krijojnë ‘xhelozi’ e qejfmbejtje, por që askush nuk e thotë dot me zë të lartë nga rradhët e të tijve.
Dhe ndërkohë që shton kuriozitetin, “Babloku” kujdeset për formën se si do të paraqesë Qeverinë e re, se si do të surprizojë ata që do të dëgjojnë se do të ulen në karrige ministrash, apo se si do të zhgënjejë ata që do të lëshojnë zyrat për pasardhësit.
‘Babloku’ nuk e vret mendjen për cilësinë e kabinetit, por për formën se si do t’i paraqesë emrat në shoë-n, që përbën edhe momentin më të rëndësishëm politik, në një vend normal, por jo në Shqipëri. Ai po mendon si të surprizojë anëtarët e Asamblesë, deputetët dhe të tjerë, kur të shpalosë vendimin e tij.
Herën e fundit, me një skenar të kujdesshëm, fiksoheshin momentet e habisë ose ato se si suprizoheshin ata që propozoheshin si ministra, ose të tjerë që zhgënjeheshin, kur linin postet, apo nuk dëgjonin emrat e tyre. Këtë rradhë mund të jetë ndryshe, pasi ‘Babloku’ asnjëherë nuk përsërit të njëjtin skenar.
Është e vështirë të kujtosh momentin e fundit në Partinë Socialiste kur Kryesia mblidhej dhe debatonte për emrat, kur Kryetarit i duhej të ruante disa balanca, qoftë edhe politike mes grupimeve në PS, apo qoftë edhe krahinore. Dhe po kështu është e vështirë të kujtosh momentet kur Kryetarit të PS-së i duhej që të ulej dhe të negocionte me aleatë për të vendosur se si do të ndahej ‘torta e pushtetit’, sa dikastere do të liheshin të lira për emra që propozoheshin nga ‘të vegjlit’ apo si do të ndahej pushteti për nga rëndësia e Ministrive.
Negociatat e fundit në këtë drejtim janë ato të 2013-ës, kohë kur Edi Rama fitonte mandatin e parë si Kryeministër me ndihmën e aleatëve të asaj kohe. Dhe ndoshta ky ishte edhe viti i fundit kur Rama si kryetar i PS-së i duhej të mblidhte Kryesinë apo Asamblenë Kombëtare për të marrë, qoftë edhe një miratim formal, mbi përbërjen e qeverinë.
Sot, 12 vite më pas, Babloku nuk ka nevojë as për mbledhje, as për konsulta, as për këshillime, madje as për të ruajtur ndonjë balancë. Madje, sot ka luksin që të zgjedhë ‘teknicienët’ jo vetëm nga rradhët e Rilindjes apo shoqërisë civile, por edhe nga opozita, pavarësisht emërtimit apo siglës që ka.
Rama e ka të qartë se askush nuk do e kundërshtojë, as do i kundërvihet, madje pothuajse me një zë pohohet se: përbërja e Qeverisë është ekskluzivitet i Kryeministrit.
Nëse kthehemi pas në kohë, gjëja që dallonte socialistët nga demokratët, ishin pikërisht debatet. Nëse në PS ka pasur përplasje e debate, madje edhe përleshje, në PD mungonte një frymë e tillë. Në atë kohë, edhe vetë Rama ishte pjesë e atyre debateve dhe përplasjeve, madje i duhej të ruante disa balanca, deri në momentin kur zbrazi partinë në emër të “Rilindjes” dhe brezit të ri, që sërish nuk e la të ngrejë kokë, dhe në një mënyrë ose një tjetër e nxorri jashtë, duke hedhur në ‘betejë’ emra të tjerë, që sigurisht i ndryshon me një të rënë të lapsit.
Dhe nuk është çudi që edhe me Qeverinë e re Babloku të vijojë eksperimentet, duke hedhur në fushë emra të panjohur, njëlloj sikundër veproi me listat e kandidatëve në zgjedhjet e 11 majit. Me grupin parlamentar, ku pjesa dërrmuese ulen për herë në parë në sallën e Parlamentit, dhe ndoshta shumë prej tyre, pa ndonjë eksperiencë të mëparshme pune, ‘Babloku’ ka zhvlerësuar totalisht rolin e Parlamentit, edhe pse Shqipëria është një Republikë Parlamentare.
Ai e di më mirë se kushdo që nga grupi i tij parlamentar, edhe ato pak emra që kanë vite në Parlament, janë të aftë të bëjnë ekspertizën e çdo ligji apo vendimi që mund të paraqitet nga qeveria, por nuk kanë forcën për të ndryshuar as zhbërë ndonjë prej tyre. Sikundër e ka të qartë se përballë do ketë një opozitë që maksimumi do të rikthehet te skenarët e vjetër të tensioneve në sallë, ose do të numërojë ata që do të kapërcejnë gardhin politik, në emër të ‘bashkëqeverisjes’ në funksion të projektit “Shqipëria 2030” në BE. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje