TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Prill 2025, 13:40

Liderët e Europës në Tiranë, Rama vendos datat 15 dhe 16 Maj ditë pushimi

Shkruar nga Pamfleti

Liderët e Europës në Tiranë, Rama vendos datat 15 dhe 16

Në këtë samit, do të mblidhen udhëheqësit e 700 milionëve të Europës, përfshirë liderë nga shtetet që janë jashtë Bashkimit Evropian.

Qeveria ka vendosur në mbledhjen e sotme që datat 15 dhe 16 maj të jetë ditë pushimi për punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore në territoret e bashkive Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Krujë. Nga kjo VKM përjashtohen Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Garda e Republikës, shërbimi zjarrfikës dhe punonjësit e sistemit shëndetësor.

Mësohet se arsyeja e pushimit lidhet me mbajtjen e samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë. Sipas vendimit të qeverisë, dita e punës do të zëvendësohet me ditët e pushimit brenda vitit 2025. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Rama ka konfirmuar zyrtarisht se më 16 maj Tirana do të presë Samitin e Komunitetit Politik Europian, një ngjarje madhore që do të mbledhë liderët e të gjithë kontinentit evropian, nga Londra në Kiev dhe nga Oslo në Ankara. 

Në një mesazh përmes rrjeteve sociale, kryeministri Rama e cilësoi këtë si një moment krenarie për Shqipërinë, duke theksuar se vendi shihet tashmë me respekt dhe vlerësim ndërkombëtar.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

CAKTIMIN E DATAVE 15 DHE 16 MAJ 2025 DITË PUSHIMI PËR PUNONJËSIT E DISA INSTITUCIONEVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE

Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Caktimin e datave 15 dhe 16 maj 2025 ditë pushimi për punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore, me seli në territoret e bashkive Tiranë, Kamzë, Vorë dhe Krujë, me përjashtim të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të shërbimit zjarrfikës dhe të punonjësve të sistemit shëndetësor.

2. Dita e punës së datave 15 dhe 16 maj 2025, për punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore, sipas pikës 1 të këtij vendimi, do të zëvendësohet në ditët e pushimit brenda vitit 2025.

3. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore, të përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Lini një Përgjigje