TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2025, 07:00

LIVE/ Shqipëria zgjedh sot Parlamentin e ri, zhvillimet hap pas hapi

Shkruar nga Pamfleti
LIVE/ Shqipëria zgjedh sot Parlamentin e ri, zhvillimet hap pas hapi
Shqipëria zgjedh sot Parlamentin e ri

Këtë të diel në 11 maj prej orës 07:00 të mëngjesit qytetarët shqiptarë do tu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur të mandatuarit e tyre në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për 4-vjeçarin e ardhshëm, si dhe forcën politike që do të qeverisë vendin.

Qendrat e votimit do të hapen në orën 7:00 dhe do të mbyllen ne 19:00.

Për herë të parë voton edhe Diaspora, me 245 935 emigrantë shqiptarë të regjistruar, po ku problematikat nuk kanë munguar në postimin apo kthimin e zarfeve të emigrantëve, kryesisht në Greqi.

Në garë janë 11 parti apo koalicione politike, ku çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit, 46 prej të cilëve janë në listën e sigurt.

LIVE/ Shqipëria zgjedh sot Parlamentin e ri, zhvillimet hap pas hapi

Kodi zgjedhor parashikon që ato të qëndrojnë të hapura edhe përtej orarit vetëm në rastet e fluksit të votuesve. Në të njëjtën orë, do të mbyllet edhe procesi i votimit për Diasporën.

ZHVILLIMET LIVE HAP PAS HAPI:

19:10 Qytetarët folën, mbyllen qendrat e votimit; kush do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare? 

Qytetarët shqiptarë u janë drejtuar sot qendrave të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj në parlament. Në orën 19:00 ka përfunduar orari zyrtar dhe ka nisur mbyllja e qendrave të votimit.

Sipas të dhënave paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 18:00 pjesëmarrja në nivel kombëtar ishte 41 për qind, një rënie e ndjeshme krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kur në të njëjtën orë kishin votuar rreth 43.8% e zgjedhësve.

19:01- Tensionohet situata në Tiranë, demokratët përplasen me Braçen; policia rrethon zyrën e PS

Teksa orari zyrtar i zgjedhjeve ka përfunduar, në Tiranë situata është ndezur. PD pretendon se ka zbuluar një zyrë informale të PS, ku dyshohet se janë bërë pazare me vota. Sipas PD ka qenë një zyrë patronazhimi.

Fillimisht ishte një gazetare e Syri Tv që pa njerëz me laptopë dhe çanta, më pas aty u shfaq Erion Braçe dhe pati përplasje verbale me gazetaren. Pas denoncimit në media, nga zyra dolën persona me çanta dhe ikën me vrap. Kjo bëri të shkojë drejtuesi politik i Tiranës, Belind Këlliçi.

18:26- Publikohen shifrat për orën 18.00, ja pjesëmarrja në zgjedhje

KQZ ka publikuar të dhënat e pjesëmarrjes për orën 18.00. Teksa kanë raportuar afro gjysma e qendrave të votimit, pjesëmarrja është 41 për qind.

E para është Dibra me mbi 48 për qind pjesëmarrja. Më pas vjen Tirana me 46.5 për qind. Pas tyre vjen Kukësi me afro 48 për qind. Pjesëmarrja më e ulët është në Vlorë kjo dhe për shkak të garës së çiklizmit, me 30 për qind. Më pas vjen Shkodra me 36 për qind dhe Shkodra me 37 për qind.  

17:31- KQZ nxjerr shifrat, pjesëmarrja në zgjedhje 38.42% deri në orën 17:00

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 17:00, pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 është 38.42%, duke shënuar një rënie prej rreth 5.4% krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, ku pjesëmarrja ishte 43.8% në të njëjtën orë.

17:31- Përplasja në Vorë, Policia nis procedimin penal ndaj Flamur Nokës

Policia e Tiranës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Flamur Nokës, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së. Ky i fundit pati një përplasje në një prej qendrave të votimit në Vorë, duke akuzuar qytetarë të ndryshëm se po intimidonin votuesit në favor të PS-së.

17.00- Fotografim masiv i fletëve të votimit, një i arrestuar edhe në Këlcyrë

Një tjetër qytetar është arrestuar ditën e sotme pasi është kapur në flagrancë duke fotografuar votën. Pas tre rasteve në Tiranë dhe një tjetri në Elbasan, këtë herë është vënë në pranga një 30-vjeçar nga Këlcyra.

Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Gjirokastër, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastër, arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 30 vjeç, banues në Këlcyrë, për veprën penale "Shkelja e fshehtësisë së votimit". Ky shtetas  rreth orës 15:00, në qendrën e votimit nr 4165/01, në Këlcyrë, gjatë procesit të votimit, dyshohet se ka fotografuar fletën e votimit”, njofton policia e Gjirokastrës.

16:31- Pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 16:00, KQZ publikon shifrat 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndarë disa nga të dhënat vijuese lidhur me pjesëmarrjen e votuesve në procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare.

Sipas të dhënave të gjeneruara deri në orën 16:00, kanë votuar 36.17% e shqiptarëve. Po sipas të dhënave, janë raportuar 2795 Qendra Votimi nga 5225 Qendra Votimi në total.

16:16- Pas përplasjeve të Nokës/ Celibashi revokon akreditimet e vëzhguesve në Vorë

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, ka revokuar akreditimin e vëzhguesve të partive. Sipas këtij vendimi në Qendrën e Votimit në Vorë nuk lejohet asnjë vëzhgues partie, përveç mediave dhe ndërkombëtarëve.

Ky akt i Celibashit vjen pas tensioneve dhe përplasjeve në QV e Vorës. Gjatë paradites, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, u përfshi në një debat të ashpër me qytetarët e zonës, që mbanin karta akreditimi provizore, duke u paraqitur si vëzhgues.

14:00- Arrestohet eksponenti i PD që dhunoi komisionerin e PS në Pogradec

Një ngjarje e paprecedent ka ndodhur ditën e sotme gjatë procesit të zgjedhjet, në Pogradec. 

Një simpatizant i PD u arrestua pasi dhunoi komisionerin e PS në një qendër votimi.

13:40- Pjesëmarrja në zgjedhje sipas qarqeve deri në orën 13:00, kryesojnë Tirana dhe Dibra 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat zyrtare për pjesëmarrjen në votime deri në orën 13:00 në të gjitha qarqet e vendit. Sipas raportimeve nga 2639 nga 5225 qendra votimi në total, pjesëmarrja kombëtare është regjistruar në 26.55%, duke shënuar një rënie krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, ku në të njëjtën orë ishte 31.52%.

Sipas qarqeve, pjesëmarrja më e lartë është shënuar në Tiranë me 30.02%, e ndjekur nga Dibra me 28.93% dhe Kukësi me 27.26%.

13:20- Shabani voton te 'Ali Demi' dhe garanton qytetarët: Çdo votë do të rinumërohet përmes Inteligjencës Artificiale

Kryetari i koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet" për Tiranën, Endrit Shabani, votoi sot në shkollën 'Ali Demi', duke apeluar për pjesëmarrje masive në zgjedhje.

"Ne kemi 300 ditë me diell, por vetëm një ditë për të vendosur për të ardhmen tonë", tha Shabani, duke theksuar rëndësinë e votës për familjet shqiptare.

12:40- Pjesëmarrja në votime në rang vendi deri në orën 12:00

Sipas, përditësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në votime në rang vendi deri orën 12:00 ka qenë 21.94%.

12:35 - Incidenti me Nokën dhe Vokshin, Spiropali shkon me urgjencë në Vorë

Incidenti me Nokën dhe Vokshin në qendrën e votimit ka dërguar me urgjencë kryeparlamentaren Elisa Spiropali në Vorë.

Në pamjet e publikuara shihet Noka se i thotë aktivistit të PS “je horr dhe ushtar i Xhabaftëve” dhe i kërkon të dalë nga qendra e votimit, ndërsa ky i fundit ia kthen: “Pranoje humbjen. Unë jam qytetar dhe votues i Vorës. Lini njerëzit të votojnë të lirë.   

12:00 - "Do të të marr zvarrë"/ Incident në Vorë, militani i PS përplaset me Nokën

Një incident ka ndodhur paraditen e sotme në Vorë, ku Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka është përplasur me një qytetar në qendrën e votimit, i cili raportohet se është militant i Partisë Socialiste.Noka e ka aukzuar qytetarin se po intimidon votuesit, por nga ana tjetër qytetari theksoi se dhe ai është votues.

11:35- Agron Shehaj voton i shoqëruar nga bashkëshortja

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka ushtruar sot të drejtën e votës në kuadër të zgjedhjeve parlamentare, të cilat po zhvillohen në mbarë vendin.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Shehaj theksoi rëndësinë e kësaj dite për demokracinë dhe qytetarët shqiptarë.

11:32 Korreshi bën denoncimin e fortë: Persona të armatosur pranë qendrave të votimit, u përballa me tre grupe

Kandidati i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi tha se ka grupe të armatosura që përpiqen të intimidojnë qytetarët në Lushnjë.

Ai ka publikuar disa foto ku tregon se 3 grupe të armatosura që nuk janë as nga zona e Lushnjes iu bëjnë pritë automjeteve që nuk i njohin. Deputet i PD ka publikuar gjithashtu fotot e automjeteve të tyre, tip Golf dhe një automjet tip Benz.

“Janë të armatosur nëpër qendra, sa herë futet një makinë që s’e njeh fusin duart, ia kam dërguar shefit të komisariatit, u përballa me 3 grupe, nuk janë as nga zona. I kemi me surrat, makinat e të gjitha, sa tentohet të hyhet, ky fuste dorën në marsup, është një Golf dhe një Benz, asnjë s’është nga Lushnja, çdo makinë bën patronazhimin, kë s’njohin tentojnë ta intimidojnë”, tha Korreshi.

11:20- Përplasje fizike mes komisionerëve në Lushnje

Një përplasje fizike ka ndodhur në një qendër votimi në Lushnjë mes komisionerëve të PD dhe PS.

“S’ka burrë nëne...”, është dëgjuar të thotë njëri prej tyre.

Sipas komisionerëve të pranishëm, komisionerët e PD janë ankuar se ata të PS kanë filmuar votat e qytetarëve.

11:15- Iu arrestua bashkëshorti për krime zgjedhore, reagon Elda Hoti

Kandidatja e Partisë Demokratike, Elda Hoti ka reaguar pas arrestimit të bashkëshortit të saj Ladi Ndoja për krime zgjedhore. Elda Hoti shkruan se asnjë strukturë kriminale apo polici politike nuk do të ndalë vullnetin e qytetarëve për ndryshim.

Ajo shprehet se Ulsi Manja dhe çdo vegël politike që përdor Policinë e Shtetit për interesa të pushtetit do të mbajnë përgjegjësi për çdo veprim të paligjshëm.

20:45- Kryministri Edi Rama voton i shoqëruar nga bashkëshortja

Kryeminsitri Edi Rama ka ushtruar të drejtën e votës se bashku me bashkëshorten e tij, Linda Rama. 

Kryeminsitri ka votuar në shkollën "Ymer Lala" në Surrel. 

Rama dha një deklaratë të shkurtër për medita, ku theksoi se sot flet populli. 

10:25 - I shoqëruar nga familja e tij, Berisha voton në shkollën “Kosova”

Kryedemokrati Sali Berisha ka votuar në shkollën “Kosova” në Tiranë.Ai shoqërohet nga bashkëshortja e tij Liria, djali Shkëlzen Berisha, bashkëshortja e tij Armina Mevlani.

Gjithashtu ishin edhe dy fëmijët e Shkëlzen Berishës, të cilët votojnë për herë të parë.

10:00 - Voton Presidenti Bajram Begaj dhe Zonja e Parë

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka ushtruar të drejtën e votës në shkollën 9- vjeçare “ Kongresi i Lushnjës” e cila ndodhet në rrugën “ Qemal Stafa”.

Në një deklaratë për mediat Begaj u bëri thirrje qytetarëve të shprehin vullnetin e tyre.

09:45- Voton kreu i SPAK, Altin Dumani 

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka votuar sot për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në shkollën “At Zef Pllumi”. njësinë në 5 në Tiranë. Dumani shoqërohet nga bashkëshortja e tij. 

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme nuk pranoi jepte një deklaratë të gjatë para mediave, teksa tha se do të ‘flasin’ pas zgjedhjeve.

Dumani më pas do të niset në prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion ku është ngritur një zyrë koordinimi, ku më pas prokurorët e posaçëm do të jenë në terren.

09:20- E drejta e votës për të burgosurit

Në këto zgjedhje, kanë të drejtë vote në total 2800 të dënuar dhe paraburgosur nga të gjitha burgjet e vendit.

Mësohet se 1400 të dënuar janë përjashtuar nga e drejta e votës për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

09:02- Ervin Salianji voton nga burgu i Fierit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka ushtruar sot të drejtën e votës në ambientet e burgut të Fierit, ku aktualisht ndodhet i dënuar.

Kujtojmë se Ervin Salianji u dënua me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për çështjen e njohur si “Babalja”.

08:37- SPAK zbret në terren, mbi 5 mijë forca policie në 12 qarqe 

Ndërsa qytetarët votojnë, SPAK, BKH dhe forcat policore kanë “zbarkuar” në terren për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe parandalimin e krimeve zgjedhore. Prokurorët e SPAK do të jenë në çdo qark të vendit, kryesisht në zonat të cilat konsiderohen të nxehta si Fieri, Elbasani, Shkodra dhe Lezha.

Policia ka angazhuar mbi 5 mijë punonjës në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor. Gjatë votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të kenë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.

Në orën 18:00, shërbimet e policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.

8:30- Arrestohet bashkëshorti i kandidates së PD Elda Hoti 

Në ditën zgjedhjeve parlamentare, bashkëshorti i deputetes së Partisë së Lirisë, Elda Hoti, është arrestuar nga policia në qytetin e Rrëshenit, pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e 10 majit. 

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Ladi Ndoja 45 vjeç, u ndalua në flagrancë së bashku me një tjetër person, nën akuzat për pengim të qarkullimit të mjeteve, vetëgjyqësi, kërcënim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Donaj” të Rrëshenit, ku Ladi Ndoja dhe i riu Amarildo Jushi dyshohet se bllokuan me makinat e tyre një automjet të cilin e akuzonin për përfshirje në blerje votash.

8:21 - Kryeparlamentarja Spiropali voton e para nga figurat e PS

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka votuar te “Parku Olimpik”.

Pas votimit, në një deklaratë për mediat kryeparlamentarja Elisa Spiropali i bëri thirrje qytetarëve të votojnë.

“Sot është dita e qytetarëve shqiptarë, sot është dita e kombit. I bëj thirrje të gjithëve të votojnë sot me qytetari ashtu si është zhvilluar edh fushata zgjedhore, te tregojnë se jemi europiane në mendje zemër dhe në standarde”, tha Elisa Spiropali për mediat pasi ushtroi të drejtën e saj të votës.

8:00- Zgjedhjet 2025, Adriatik Lapaj voton i pari nga liderët e partive

Në orën 8:00, kreu i "Shqipëria Bëhet" Adriatik Lapaj votoi tek Shkolla e Mesme Ekonomike, rruga 'Myrtezim Këlliçi'.

Zoti Lapaj ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij në qendrën e votimit.

“Është hera e disatë që votoj unë, por është hera e parë që votoj si drejtues. Natyrisht votova për koalicionin tonë, për numrin 6. Është një ditë e bukur sot.Unë mendoj se vendi ka mundësi reale për një ndryshim të madh. I ftoj qytetarët të dalin masivisht në votime.”,tha Adriatik Lapaj.

Ai është lideri parë që ka votuar deri tani nga krerët e partive.

7:45- Radhë në Astir, por qendrat e votimit të vendosura në kontenier nuk nuk janë gati

Në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit në të gjithë Shqipërinë, por problemet duket se janë të mëdha.

zonën e Astir, në kontejnerët që janë kthyer në qendra votimi, nuk ka nisur ende procesi i votimit.

Siç edhe duket nga pamjet  votues të shumtë ndodhen para kontejnerëve duke pritur në radhë pasi 22 qendrat e votimit ende nuk janë bërë gati.

7:05 -Hapen qendrat e votimit

Prej orës 07:00, qytetarët u janë drejtuar qendrave të votimit për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetutese për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.

Të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 713 mijë shtetas shqiptarë, prej tyre rreth 246 mijë janë regjistruar që të votojnë nga jashtë.

Ndërkohë që rreth 115 mijë zgjedhës votojnë për herë të parë. Në të gjithë Shqipërinë janë 5225 qendra votimi.

Këto zgjedhje vijnë me disa risi, pasi për herë të parë emigrantët kanë patur mundësinë të votojnë nga jashtë, ndërsa listat e kandidatëve janë një miksim mes listës së hapur dhe listës së mbyllur.

shqipëria zgjedh sot për parlamentin e ri 3.7 milionë qytetarë me të drejtë vote

Lini një Përgjigje