TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Korrik 2026, 16:11

Del jashtë kontrollit zjarri në Drizë të Fierit, flakët i afrohen shtëpive; nis evakuimi i banorëve!

Shkruar nga Pamfleti
Del jashtë kontrollit zjarri në Drizë të Fierit, flakët
Flakët dalin jashtë kontrollit zjarri në Drizë të Fierit

Situata nga zjarri në Fier është rënduar, pasi flakët janë përhapur me shpejtësi dhe po kërcënojnë zonën e banuar. Për shkak të rrezikut, ka nisur evakuimi i banorëve, ndërsa në terren po operojnë zjarrfikësit, Policia e Shtetit, banorët e zonës dhe një helikopter. Autoritetet vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrës dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet në zonën e prekur.

Zjarrët e verës kanë shënuar incidentet e para për këtë sezon. Situata nga zjarri i shpërthyer ditën e sotme në zonën e lagjes Drizë, pranë ish-Azotikut në Fier, është përkeqësuar ndjeshëm, pasi flakët janë përhapur me shpejtësi të favorizuara nga era e fortë dhe po i afrohen zonës së banuar.

Për shkak të avancimit të zjarrit drejt banesave, banorët janë alarmuar, ndërsa autoritetet kanë nisur evakuimin e tyre si masë parandaluese për garantimin e sigurisë.

Banorët shprehen se janë trembur kur kanë parë zjarrin. 

“Si ky zjarr nuk ka rënë asnjëherë më parë. U frikësuam shumë, ishte zjarr i madh”, tha një banor i zonës.

“Ne jemi trembur, s’dimë çfarë të bëjmë, po i afrohet banesave. Ishim në shtëpi, po hanim bukë kur dolëm dhe pamë zjarrin”, tha një banore tjetër.

Flakët kanë avancuar gjithashtu pranë rrugës që lidh Qafën e Koshovicës me Kreshpanin, duke rrezikuar një depo uji dhe një lokal që ndodhet buzë këtij aksi rrugor.

Për shkak të situatës së rënduar është kërkuar ndërhyrja nga ajri. Një helikopter ka mbërritur në zonë dhe ka nisur operacionin për shuarjen e flakëve, ndërsa nga toka vijojnë përpjekjet intensive të forcave zjarrfikëse.

Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar 10 mjete zjarrfikëse, forca të shumta të Policisë së Shtetit, forcat e FNSH-së, repartet "Shqiponja", si edhe struktura të tjera të emergjencës.

Po ashtu dhjetëra banorë të zonës janë angazhuar për të izoluar vatrën e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet në zonën e prekur dhe t'u hapin rrugë mjeteve të emergjencës, ndërsa operacioni për vënien nën kontroll të zjarrit vijon.

zjarr në drizë të fierit nderhyrje nga ajri

Lini një Përgjigje