
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është paraqitur ditën e sotme në SPAK.
Kryemadhi është paraqitur në SPAK këtë të hënë për të marrë dosjen, e shoqëruar nga vajza e saj.
“Erdha të lexoj fashikujt e dosjes”, ka thënë shkurtimisht Kryemadhi, pa dhënë detaje të tjera.
Ish- presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë u arrestua me urdhër të SPAK për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Nën hetim për të njëjtat akuza është edhe deputetja Monika Kryemadhi, bashkëshorte e Ilir Metës me të cilin ndodhet aktualisht në proces divorci.
Gjykata ka vendosur masën e “detyrimit për paraqitje” para oficerëve të Policisë Gjyqësore për Kryemadhin; arrest shtëpie për ish-zyrtarin Pirro Xhixho, i akuzuar gjithashtu për korrupsion pasiv si dhe masën e detyrimit për paraqitje për Ema Çokun, e akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale.
Akuzat nga SPAK për aferën CEZ-DIA
Ilir Meta kishte një objektiv, të përfitonte 10 milionë euro nga afera CEZ-DIA sipas hetimeve të SPAK të bëra për ish Presidentin dhe Monika Kryemadhin.
Për këtë shifër SPAK i referohet deklaratave të Elvis Matajt, ish bashkëpunëtor i ngushtë i Metës, një prej personave kyç për zbardhjen e aferës, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë.
Prokuroria e Posaçme i kushton pjesën më të madhe të hetimeve zbërthimit të kësaj çështjeje, ndërsa për këtë ka marrë dhjetëra dëshmi dhe është konsultuar me disa prej autoriteteve ligjzbatuese të vendeve evropiane dhe jo vetëm.
Historinë e aferës CEZ-DIA, SPAK e nis me krijimin e kompanisë së Kastriot Ismailajt, “Debt Internacional Advisory” në offshore në “Virgin Island” më 5 korrik 2010, ndërsa dega në Shqipëri më 4 gusht të po atij viti. Ndërkohë që një marrëveshje me bordin e CEZ u firmos më 1 shtator. Pra as një muaj më pas. Duket qartë se Prokuroria këtu dyshon se qëllimi i krijimit të kësaj kompanie ka qenë pikërisht kjo marrëveshje.
Afera CEZ -DIA është vetëm një prej episodeve ndaj ish presidentit Ilir Meta tashmë i arrestuar me tre akuza të rënda, atë të “korrupsionit”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjen dhe mosdeklarim e pasurisë”, për të cilat rrezikon minimalisht 7 dhe maksimalisht 15 vite burg.
Skandali i lobimit në SHBA
Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.
Konkretisht SPAK, sqaron:
Përgjatë periudhës 2016-2017, I. M. me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbim konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik.
Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të forcës politike nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Lini një Përgjigje