Politike29 Mars 2023, 08:28

"Lufta" vazhdon, Alibeaj përballet nesër me koalicionin Berisha-Meta për logon e PD

Shkruar nga Pamfleti

"Lufta" vazhdon, Alibeaj përballet nesër me koalicionin

Ditën e nesërme më 30 Mars do të mbahet seanca për shqyrtimin e ankimimit të Enkelejd Alibeajt për koalicionin e regjistruar nga Ilir Meta dhe Sali Berisha për zgjedhjet e 14 majit.

Në ankimimin e tij, Alibeaj pretendon se dyshja Meta-Berisha kanë kryer shkelje të rëndë ligjore duke përdorur simbolet e PD, siglën dhe emrin.

Në seancën e ditës së nesërme që do të mbahet në orën 15:30, ankimimi i Alibeajt do shqyrtohet nga Sokol Ibi; Manjola Xhaxho; Edlira Petri; Esmeralda Xhili; Alma Kolgjoka.

Sali Berisha është në koalicion me Ilir Metën, Vangjel Dulen e Nard Ndokën me sloganin ‘Bashkë Fitojmë’.

Berisha ka sfiduar edhe vendimin e Ilirjan Celibashit për të mos e njohur si kryetar të PD, duke përfshirë në koalicion edhe logon e Partisë Demokratike.

Në dokumentin zyrtar të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është se brenda këtij koalicioni, përveç Partisë së Lirisë të Ilir Metës, PDK-së së Nard Ndokës dhe PBDNJ-së së Vangjel Dules, është e përfshirë edhe logoja e sigla e PD.

Ndonëse ligji e përcakton qartë se një parti politike e paregjistruar në zgjedhje s’mund të jetë në koalicion, Meta dhe Berisha kanë marrë masa ashtu siç vepruan në zgjedhjet e 6 marsit.

Kjo për faktin se kanë vendosur që Partia e Lirisë të jetë ajo që drejton dhe jo Sali Berisha. 

Ndërkohë me logon zyrtare të PD, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar në KQZ emrat e 19  kandidatëve për kryetar Bashkie.

Kandidati i Korçës, Gjergji Gjata njoftoi se është tërhequr nga gara bashkë me 40 kandidatët për këshillat bashkiakë. Po ashtu, nga gara u tërhoqën edhe kandidati i Lezhës Sandër Marku, e ndërsa nuk u miratuan nga kryesia, Bujar Vreto  në Librazhd, Ibrahim Bruka  në Vorë dhe Genc Doçi  në Kurbin.

 

alibeaj berisha pd logoja