Opozita nuk ka nevojë për një kandidat për kryeministër, por për një lider real, i cili natyrishëm do të ishte edhe kandidat për kryeministër.
Ilir Meta është aktivizuar fort duke shfrytëzuar arrestin e Sali Berishës, për të mbushur hapësirën opozitare, duke përdorur tërë arsenalin mediatik dhe atë të lobimit.
Meta, politikisht në është i mbaruar dhe nuk ka mundësi që të marrë deputet nëse del si parti më vete në 2025. Nëse bën aleancë me foltoren e Berishës, do t’i duhet të bëjë paktin e 14 majit 2023. Ku duke shfrytëzuar situatën e rëndë të doktorit, arriti t’i marrë shumicën e këshilltarëve. Por që në realitet nuk i duhen asgjë. Meta kërkon atë që Berisha ia ka dhënë që pas vitit 2013, një grusht votash nga pjesa e tij radikale.
Mirëpo askush nuk ka terezi që të merret me tekat e Ilirit, sidomos, kur asnjë nuk i beson brenda opozitës. Meta, ka dalë menjëherë në sulm, edhe se nuk ka asnjë mundësi tjetër. Ai e ka parë që askush nuk është shqetësuar që ka humbur Iliri me Monikën. Sepse realisht nuk se përfaqësojnë gjë politikisht, krejt ndryshe nga Sali Berisha. I cili ka mbështetës, vota, por edhe një opinion të krijuar rreth tij.
Në këtë situatë, Ilir Meta është duke përdorur apo nxitur njerëzit që ka pranë, e që janë pjesë e opinionbërjes mediatike, që të flasin për një kandidat kryeministër tjetër, e jo Sali Berishën.
Loja e Metës është një blof pa asnjë letër në dorë, thjesht po mundohet të shesë ajër, duke sikletosur Foltoren që të futet në grackë, e të shkojë aty ku kreu i Partisë së Lirisë ka për zemër: Pazarin.
Por si Berisha, edhe të tjerët brenda Rithemelimit nuk kanë ndërmend t’i japin asnjë centimetër hapësirë Ilir Metës. Ndaj ky i fundit, formalizoi marrjen e Lefter Maliqit, i cili ka një peshë në qarkun Berat, ku mund të vendosë ekuilibrin e një mandati deputeti, të paktën në tavolinë.
Ndryshe, Ilir Meta pa ca vota të dhëna nga baza e PD-së nuk mund të marrë jo 4 deputetë që ka sot, por asnjë.
Siç mësohet, kreu i PL-së, ka nisur takime me njerëz të larguar nga mazhoranca e të mërzitur me Edi Ramën, si Besnik Bare, të cilin e përmendi me emër në mbledhjen e fundit të kryesisë së partisë.
Baraj, një profesor i shquar i biologjisë, ka përgatitur një raport për cilësinë e ajrit në Tiranë.
Meta, e ka shfrytëzuar këtë moment duke risjellë idenë e vitit 2019, kur foli me zërin e Monikës se kishte një plan për të bërë kryeministër Fatmir Xhafajn ose Pandeli Majkon. Pas kësaj Rama stisi Babalen, duke e ofruar si një grackë të PD.
Loja e Metës është një lëvizje krejt pa fantazi, dhe në fund të fundit hapësira për të vepruar, apo krijuar një ndërveprim është e vogël. Pastaj ish-presidenti, edhe pse mban afër shumë figura të lidhur me PD-në që kur ka qenë President, në mjediset e të djathtës nuk ka fare kimi.
Megjithatë, manovra e tij është më e kthjellët se e Berishës, i cili as e ka mendjen të lëvizë, por po mban peng opozitën për të shpëtuar veten dhe familjen. Gjithsesi, kjo manovër është 'pesë me hiç'. Madje e provuar në vitin 2001 kur PD doli me kandidaturën e Ridvan Bodes, po askush nuk e besoi se prapa ishte doktori. Ndodhi 2 herë me Lulzim Bashën e sërish nuk e besoi me Berishën në prapaskenë. Opozita nuk ka nevojë për një kandidat për kryeministër, por për një lider real, i cili natyrishëm do të ishte edhe kandidat për kryeministër./Pamfleti
Lini një Përgjigje