Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë nga foltorja e Kuvendit, duke deklaruar se parlamenti nuk po merret me problemet reale të qytetarëve shqiptarë.
Një ndër çështjet kryesore që ai ngriti ishte subvencionimi i naftës për fermerët. Berisha kundërshtoi deklaratat e kryeministrit se vendet e Bashkimit Europian nuk e subvencionojnë më naftën, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Ai sfidoi mazhorancën që të identifikojë një vend të vetëm të BE-së që nuk ofron mbështetje për karburantin në bujqësi, ndërsa theksoi se në disa shtete, përfshirë Gjermaninë, subvencionet janë rritur.
Sipas Berishës, situata aktuale përbën një dëm për fermerët dhe ekonominë, ndërsa kërkoi ndërhyrje urgjente për rikthimin e subvencionimit të naftës dhe lehtësimin e barrës fiskale për këtë sektor. Ai shtoi se kjo masë do të ndihmonte jo vetëm fermerët, por edhe transportin publik, duke përmirësuar shërbimet për qytetarët.
Në përfundim, Berisha kërkoi që çështja të hidhet për votim në Kuvend, duke e cilësuar si një domosdoshmëri për mbështetjen e një prej shtresave më të rëndësishme të ekonomisë.
“Ky parlament nuk mund të ketë, në qoftë se mban parasysh interesin e qytetarëve shqiptarë, në axhendë tjetër veçse vjedhjet e binomit Rama-Balluku. Çështja e dytë që ky parlament duhet të debatojë dhe t’i japë zgjidhje është çështja e naftës. Kreu i juaj u deklaroi socialistëve në Lushnjë se Europa nuk subvencionon më naftën.
Një mashtrim të turpshëm, të paskrupullt dhe ju që qeshni, ju bëni skllavin këtu. Sepse sfidoj çdo njeri dhe çdo shqiptar, të gjejë një vend të vetëm anëtar të BE që të mos subvencionojë naftën për fermerët. Përkundrazi, Gjermania e rriti këtë vit subvencionin dhe mundet edhe vendet e tjera.
Të shkosh dhe të deklarosh vetëm pse janë socialistë dhe mund t’u thuash çdo gjë, se Europa nuk subvencionon më naftën, bën një akt cinik, një mashtrim ndaj rreth 40 përqind të shqiptarëve, që ç’është e vërteta është pjesa që djersin më shumë, që sakrifikon më shumë qoftë për kafshatën, qoftë për prosperitetin e vet dhe të vendit.
Ndaj dhe ju që jeni këtu, ose gjeni një vend në BE që nuk jep subvencione nafte, ose damkoseni drejtuesin tuaj si një mashtrues ordiner, që në çdo fjalë nxjerr një mashtrim dhe vendosim këtu të rikthejmë me ligj subvencionin e naftës duke hequr ndaj saj çdo taksë jo vetëm për fermerët, por edhe për transportin publik.
Ju e morët vesh se u pakësuan me 40 përqind linjat e autobusëve, ndaj dhe të bëjmë këtu një ndërhyrje urgjente që të subvencionojmë fermerët.
Vijnë miliarderët e naftës dhe e marrin me 600 lekë naftën, dhe ata kanë rëndësi në ekonomi se hapin shishe shampanje me Ramën. Po ky është turp mo, a përfaqësoni ju apo ata fermerë apo jo? Duhet ta hedhësh në votim këtë çështje”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje