TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Shkurt 2026, 09:58

“Maskarada në Hagë”/ Rama sulm Gjykatës Speciale: Pafajësi për ish-liderët e UÇK ose vetëpërdhosje

Shkruar nga Pamfleti
“Maskarada në Hagë”/ Rama sulm Gjykatës Speciale:
Edi Rama

Rama deklasoi se sensibilizimi ndërkombëtar për këtë çështje do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupit gjykues, duke theksuar se vendimi përfundimtar duhet të jetë në përputhje me standardet demokratike dhe parimet e drejtësisë...

Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer sulmet ndaj Gjykatës Speciale të Kosovës, e cila ndodhet në Hagë, ku po gjykohen 4 ish-drejtuesit e UÇK-së, mes të cilëve edhe ish-Presidenti Hashim Thaçi.

Ndërsa e konsideron një marrëzi pretencën e Prokurorëve që kërkojnë 180 vite burg për 4 ish-drejtuesit e UÇK-së, Rama kërkoi ndërhyrjen edhe të Presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë një fjale që mbajti në mbledhjen e parë zyrtare të Bordit të Paqes, që u mbajt në Uashington.

Ndërsa shprehu shqetësimin e fortë për atë që e cilësoi si “maskaradë të pabesueshme” të drejtësisë ndërkombëtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Rama theksoi se akuza ka dështuar të provojë pretendimet për karakter kriminal të UÇK-së dhe e konsideroi kërkesën për 45 vite burg si të padrejtë.

Më vjen mirë natyrisht për jehonën e fjalës që mbajta në emër të Shqipërisë, ku përcolla botërisht shqetësimin tonë kombëtar për maskaradën e pabesueshme të Drejtësisë Ndërkombëtare në Hagë, ndaj Hashim Thaçit e çlirimtarëve të Kosovës.

Kam besim se niveli i ri i sensibilizimit lidhur me atë gjykatë, deri më sot, pa asnjë standard demokratik, ku akuza dështoi me turp të provonte se UÇK ishte një sipërmarrje kriminale dhe u lëshua në fund e dëshpëruar me kërkesën mizore për 45 vjet burg për Hashim Thaçin dhe tre udhëheqësit e tjerë të luftës çlirimtare, do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese, e cila duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës, pafajësisë së çlirimtarëve dhe poshtërsisë së përndjekësve të tyre, dinjitetit të një gjykate dhe vetëpërdhosjes së saj përfundimtare”, deklaroi Rama në podcastin e tij.

Rama deklasoi se sensibilizimi ndërkombëtar për këtë çështje do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupit gjykues, duke theksuar se vendimi përfundimtar duhet të jetë në përputhje me standardet demokratike dhe parimet e drejtësisë.

Gjatë fjalës së mbajtur në Uashington, Kryeministri e kritikoi Gjykatën Speciale në Hagë që prej më shumë se pesë vjetësh po i mban në paraburgim Thaçin dhe të tjerët. Ai tha se shteteve demokratike që e sponsorizojnë këtë gjykatë “duhet t’u vijë turp nga kjo lloj drejtësie”.

Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar gjashtë vjet në një paraburgim nga një gjykate e posaçme në Hagë, e sponsorizuar nga një sërë shtetesh demokratike, disa prej tyre të pranishme dhe këtu dhe që duhet t’u vijë turp nga ajo lloj drejtësie ndërkombëtare. Vetëm javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror i financuar nga ky vend i madh e tatimpaguesit e tij, kërkoi 45 vjet burgim për të, një kërkesë që shkaktoi një valë tronditëse poshtërimi në të gjithë tërësinë e një vendi paqedashës.

Dhe në këtë moment ka vetëm disa muaj që qëndrojnë midis një njeriu, i cili u ngrit nga qëndresa ndaj spastrimit etnik për t’u shndërruar në një paqebërës dhe një rezultati shkatërrimtar nga një gjykatë që deri tani ka dështuar, në çdo hap t’u përmbahet standardeve të drejtësisë demokratike. Për hir të Zotit, z. President, le të bëjmë diçka përpara se siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish”, deklaronte Rama.

Dhe duke folur për Kosovën dhe gjykimin e 4 ish-drejtuesve të UÇK në Hagë, Rama u ndal edhe në vizitën e fundit në Prishtinë, në vigjiljen e ditës kombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Sebepi i kësaj vizite ishte ftesa e një miku të kahershëm dhe burri fisnik nga prishtina  profesor Ahmed Shalës, në promovimin e librit të tij “Kur heshtja flet”, një libër që duhet lexuar për të mësuar më shumë dhe kuptuar më thellë mbi procesin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së.

Por takimet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti ishin tejet pozitive, qoftë për nga këndvështrimi i harmonizimit të angazhimeve ndërkombëtare me Vjosën, qoftë për nga këndvështrimi i rritjes së bashkëpunimeve kombëtare me Albinin.

Qershia mbi tortë ishte bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët i ftova me shumë kënaqësi në Tiranë për të vazhduar komunikimin tone të filluar më herët.

Ndërsa të nesërmen, më 17 të shkurtit, telefonata e përvitshme e urimit të pavarësisë që marr nga Haga ishte posaçërisht emocionuese këtë herë, pas asaj çmendurie të prokurorisë speciale. Por zëri i Komandantit nga burgu i padrejtësisë ndërkombëtare ishte realisht, sinqerisht, më i qetë se asnjëherë. Në fillim e në fund të bisedës, Hashimi më përsëriti fjalinë: “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem, atë nuk ma merr dot kurrë, askush!””, tha Rama.

Në Gjykatën Speciale në Hagë zhvillohet gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. 

Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit të Hagës që nga muaji nëntor i vitit 2020. Ndaj tyre janë ngritur akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria Speciale në Hagë ka kërkuar 180 vite burg në total (nga 45 vite për secilin). Akuzat e saj janë rrëzuar nga avokatët mbrojtës e të 4 ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Gjykata Speciale ka kohë 90 ditë për të shpallur vendimin. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje