
Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa e ka ndalur theksin tek disa afera të bujshme që ka nisur SPAK të hetojë, skandali “McGonigal” dhe hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, zoti Ngjela u pyet për thirrjen e ish-presidentit Ilir Meta në SPAK sa i takon aferës “CEZ-DIA”, ku akuzohet se është përfshirë. Ngjela ka treguar disa arsye se pse u hap tani dosja “CEZ-DIA” dhe pse u thirr Ilir Meta në SPAK. “S’jemi të sigurt që e kanë thirrur për “CEZ-DIA”. Sepse unë e dëgjova deklaratën që dha edhe nuk tha më thirrën për atë çështje. Po fakti që e thirrën tani mbas ardhjes së Altin Dumanit si kryeprokuror i ri i SPAK mendoj se çështja e antikorrupsionit mund të jetë vënë në vijë dhe do presim si do të ecë hap pas hapi. Ka një gjë nuk ishte me avokat dhe po ta kishin thirrur që t’i komunikonin akuzën duhet që të kishte një avokatë dhe fakti që nuk kishte atëherë nuk i kanë komunikuar një akuzë”, deklaroi ai.
Lufta kundër korrupsionit
Më tej avokat Ngjela paralajmëroi ditë të zeza për të korruptuarit. Sipas tij, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani do sjellë frymë të re sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. “Unë kam informacione se korrupsioni ka qenë gjigant. Është korrupsion i nivelit të lartë, kështu që do të jenë shumë pushtetarë, sepse prandaj është ngritur edhe SPAK-u. Në rast se nuk do të kishte një korrupsion kaq të madh nuk kishte pse të dilte një sistem gjyqësor jashtë klasikut që të merrej vetëm me korrupsionin dhe me krimin e organizuar. Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë lidhje me njëri tjetrin. Pse kanë lidhje me njëri-tjetrin, sepse korrupsioni pa krimin e organizuar nuk i pastron dot paratë që merr, prandaj SPAK është ngritur për korrupsionin dhe krimin e organizuar aq më tepër që SPAK e drejton Uashingtoni”, shtoi ai.
Dosjet e spiunëve të ish-Sigurimit
Por teksa në Kuvend po diskutohet nisma që bashkon PS dhe fraksionin Alibeaj për hapjen e dosjeve dhe i pyetur se mendoni se ka fakte që implikojnë Ilir Metën me ish-Sigurimin e Shtetit, avokat i njohur, Spartak Ngjela u shpreh në reagimin e tij për gazetën “SOT”, se kreu i PL rrezikohet. “Ne nuk kemi një provë, por kur të hapën dosjet duhet të shohim se çfarë do rezultojë nga hapja e dosjes së Ilir Metës. Fakti që ata e kanë marr këtë iniciativë tregon se diçka kanë në plan dhe dikë do të thërrasin”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje