Politike22 Maj 2024, 15:34

“Metamorfoza 3”: Goditja e bandave kriminale shkatërroi edhe shtabet e krimit elektoral të politikës së vjetër

Shkruar nga Pamfleti
“Metamorfoza 3”: Goditja e bandave kriminale shkatërroi edhe
Krimi dhe Politika /

Eksponentët dhe bandat e krimit, nëpërmjet fuqisë së krerëve të pushtetit e politikës, siguronin pasuri e fonde publike, liri veprimi për trafiqe, gjoba ndaj bizneseve, vrasje, ndikim absolut ndaj institucioneve publike dhe mburojë të plotë për t’i shpëtuar drejtësisë...

Me operacionin “Metamorfoza 3”, përveçse u goditën bandat më të fuqishme në vend, SPAK dhe SHBA iu kundërpërgjigjën tre sundimtarëve Sali Berisha, Edi Rama e Ilir Meta, duke u hequr nga qarkullimi, shtabet e krimit elektoral që kishin veç e veç dhe sëbashku.

Sepse prej 30 vitesh, tre sundimtarët e politikës, i kanë përdorur bandat e krimit, për presion ndaj qytetarëve në zgjedhje, por dhe kundër njeri-tjetrit deri me atentate, për të marrë, ndarë e mbajtur pushtetin, madje siç kanë treguar disa raste, edhe për kërcënime ndaj zyrtarëve të drejtësisë.

Ndërsa bandat e krimit, nëpërmjet fuqisë së krerëve të pushtetit e politikës, siguronin pasuri e fonde publike, liri veprimi për trafiqe, vrasje, gjoba ndaj bizneseve, ndikim absolut ndaj institucioneve publike dhe mburojë të plotë për t’i shpëtuar drejtësisë.

Emrat e të arrestuarve dhe të atyre që u njoftuan dhe u arratisën, kanë qenë krahu luftarak në shtabin elektoral partiak e personal të Edi Ramës, ndërsa më parë kanë qenë, krahu i forcës në shtabet elektorale partiake e personale të Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Duke u goditur bandat e krimit, SHBA e SPAK u dhanë kundër-përgjigje të fortë, të qartë e të prerë tre sundimtarëve të Shqipërisë, që të heqin dorë nga lidhjet me krimin, por dhe nga skenari i përbashkët, për të kërcënuar e futur nën kontroll SPAK-un, Gjykatën e Posaçme dhe institucionet e drejtësisë.

Sulmin kundër SPAK, këta po e bëjnë me skemë të organizuar e paralelisht: ish-presidenti e ish-kryeministri Sali Berisha, me presion nga FB, ballkoni e televizioni i tij; ish-kryeministri e ish-presidenti Ilir Meta po sulmon nga ekranet e mediave që paguan, ndërsa kryeministri Edi Rama e kërcënon në parlament, në konferenca shtypi dhe në mbledhjet e PS-së.

SHBA-BE e dinë, që dhe krijimi i komisionit të posaçëm, për të kontrolluar veprimtarinë e SPAK e Gjykatës së Posaçme, është skenar i përbashkët i Edi Ramës, Sali Berishës e Ilir Metës për t’i mbajtur prokurorët e gjyqtarët nën monitorim urdhra e presion.

Duan t’i kenë në kontroll, sepse këto dy institucione, SHBA i krijoji për të goditur zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion, pastrim parash e veprimtari të tjera kriminale, siç kanë bërë e po bëjnë Berisha, Rama, Meta dhe të përdorurit prej tyre.

Këta tre djaj të politikës, që prej 30 vitesh “hanë në një çanak” me krimin; nuk thanë asnjë fjalë kundër SPAK-ut, gjatë 3 viteve nën drejtimin e “zarit” të tyre Arben Kraja, sepse ai nuk i preku.

Ndërsa në 16 muaj drejtim nga Altin Dumani dhe prezencë të FBI-s brenda BKH e SPAK, Sali Berisha, Edi Rama e Ilir Meta, po sulmojnë egërsisht SPAK-un, sepse u hapur dosjet dhe ka marrë të pandehur e në hetim, ata, familjarët, bashkëpunëtorët dhe bandat e tyre. /Pamfleti