Gjenerali i Trump në Tiranë, sinjal lufte apo ripozicionim amerikan në Ballkan?

Emërimi i Eric P. Wendt si ambasador i SHBA-së në Shqipëri nuk duket si lëvizje rutinë diplomatike. Profili i tij ushtarak, lidhjet me operacionet speciale dhe zhvendosja nga Kuvajti drejt Tiranës sugjerojnë një mision me peshë gjeopolitike...
Kur Uashingtoni dërgon në Tiranë jo një diplomat klasik, por një gjeneral të forcave speciale, mesazhi vështirë se mund të lexohet si formalitet protokollar. Në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ambasadorët kanë ardhur shpesh me misione të qarta politike, por këtë herë sinjali duket më i fortë: Shqipëria mund të jetë duke hyrë në një rol të ri strategjik në arkitekturën ushtarake dhe diplomatike të SHBA-së në rajon.
Dekretimi nga Donald Trump i një gjenerali si ambasador i SHBA-së në Tiranë është rasti i dytë, pas James Jeffrey-t, i një ambasadori me profil ushtarak që dërgohet në Shqipëri, përkatësisht pak para nisjes së pushtimit të Irakut nga George W. Bush në vitin 2003.
SHBA-ja ka ndjekur një protokoll të pashkruar, por formal në logjikën e emërimit të ambasadorëve, ku secili ka pasur një mision për të kryer, dhe në këtë logjikë është përshtatur edhe formimi e profili i diplomatëve.
Kështu, William Ryerson kishte si mision largimin e qeverisë së PPSH-së në Shqipëri dhe, si profil, ishte një diplomat politik; ndaj edhe u tërhoq menjëherë pas përfundimit të misionit në Tiranë.
Joseph Lake u soll nga administrata Clinton në vitin 1994, duke marrë parasysh përvojën e tij në Ballkan gjatë Luftës së Ftohtë, ku kishte shërbyer në Bullgari. Ishte koha kur NATO po përjetonte zgjerimin e saj. Misioni i Lake, i cili qëndroi vetëm dy vjet, duket se ishte i qartë: së pari, të detoksikonte mjedisin diplomatik të SHBA-së nga politizimi i Ryerson-it, por edhe të shërbente si një urë e politikës së re me të gjitha krahët.
Gjatë kohës së Lake, thuajse të gjithë politikanët e opozitës, apo ata që nuk ishin në qeveri në atë kohë, u trajnuan ose ndoqën studime në SHBA për sistemin demokratik. Duket qartë se misioni i Lake ishte afrimi i opozitës me SHBA-në dhe zbutja e qëndrimit toksik kundër NATO-s, gjë që u arrit. Lake u thirr në Uashington nga një tjetër Lake, përkatësisht Anthony Lake, i cili ishte kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë nën presidencën e Bill Clinton-it.
Misioni i Lake, i cili e njihte mirë mentalitetin e Lindjes, pasi kishte shërbyer gjatë Luftës së Ftohtë në Sofje, ishte të menaxhonte Sali Berishën pas llastimit që i ishte bërë. Lake qëndroi deri në vitin 1996, kur marrëdhëniet me SHBA-në u acaruan shumë.
Pikërisht në këtë kohë u dërgua një diplomate e hekurt si Marisa Lino, e cila, përveç përvojës në Itali, kishte shërbyer si diplomate në vende të vështira si Iraku, Tunizia, Peruja etj., ku kërkohej një ndërveprim i fortë. Misioni i Marisa Lino-s ishte të ndalonte derivën autoritare të Berishës së parë dhe të ndihmonte Shqipërinë në një kohë të rëndë, siç ishin trazirat e vitit 1997.
Më pas vjen i ndjeri Joseph Limprecht, një ish-oficer policie, i cili kishte si mision diplomatik të ndihmonte në ringritjen e shtetit shqiptar, veçanërisht të forcave të sigurisë, policisë dhe SHIK-ut, reputacioni i të cilit ishte kontaminuar nga infiltrimet xhihadiste.
Limprecht nuk e përfundoi mandatin, pasi pësoi një goditje në zemër në Lurë, ku humbi edhe jetën. Pas Limprecht-it vjen Marcie Ries, një diplomate karriere, bashkëshorti i së cilës ishte ambasador në Athinë. Një “rastësi” që nuk duket e tillë, pasi në atë kohë SHBA-ja shtyu fort për të ndalur përplasjet me Athinën dhe, posaçërisht, që të ndalohej vetoja greke ndaj Shqipërisë në NATO.
Pas ambasadores Ries, presidenti Bush i ri solli një ushtarak si James Jeffrey, i cili ishte specialist i Lindjes së Mesme, ndërsa emërimi i tij “rastisi” përpara pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003. Dhe, si për “koincidencë”, Jeffrey më pas u emërua ambasador i SHBA-së në Irakun e pas Sadam Huseinit.
Pas Jeffrey-t, një gjeneral i ushtrisë amerikane, në Tiranë erdhën me radhë John Withers, një veteran i Departamentit të Shtetit, i cili menaxhoi hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe qeverisjen e parë pas Gërdecit, ku u bë i famshëm për kabllogramet e tij, të shkruara me një mjeshtëri letrare gjatë periudhës së shpërthimit në fshatin e demontimit.
Misioni i Withers ishte diplomacia e mbajtjes së Tiranës në stabilitet dhe arritja e një paqeje të brishtë mes Sali Berishës dhe Edi Ramës. Më pas, në Tiranë u dërgua Alexander Arvizu, me misionin e heqjes së “bombave” nga dora e Sali Berishës dhe përgatitjen e një tranzicioni të qetë të pushtetit drejt Edi Ramës.
Donald Lu më pas solli fabulën e “peshqve të mëdhenj”, e cila u përforcua nga Yuri Kim, që u tregoi demokratëve të Sali Berishës “barin”.
Ardhja e një gjenerali të forcave speciale, përkatësisht e një komandanti të ‘beretave të gjelbra’ dhe drejtuesi të operacioneve speciale të NATO-s, nuk duket se është rastësi.
I përgatitur që të instalohej në Kuvajt, devijimi i mëvonshëm drejt Tiranës nuk është gjë tjetër veçse një indikator i qartë politik. Sipas gjasave, misionin me të cilin ishte ngarkuar në Kuvajt do ta drejtojë nga Tirana. Gjenerali Eric P. Wendt është një ekspert dhe këshilltar prej një kohe të gjatë për çështjet e Palestinës, kryesisht ato të sigurisë. Dhe këtë mision ka shumë mundësi ta kryejë në një bazë të re ose paralele amerikane në Ballkan.
Ardhja e një ambasadori ushtarak të një stature të lartë nuk ka si të jetë thjesht një ‘qokë’ politike, por një sinjal i qartë politik. Në Athinë, Trump ka dërguar një ambasadore nga lidhjet e afërta familjare, si Kimberly Guilfoyle, e cila si fjalëkyç ka çështjet ekonomike dhe posaçërisht ato të naftës e gazit, në një kohë kur në Greqi është instaluar një mega-investim për nxjerrjen e gazit në ujërat e Detit Jon.
Emërimi i gjeneralit Wendt, në krah të Guilfoyle, nuk është gjë tjetër veçse ruajtje e shpatullave të këtij aseti të madh amerikan.
Ndërkaq, interesant mbetet fakti, apo pritshmëria, se si e ka pritur apo do ta presë Edi Rama ose Sali Berisha këtë ambasador me “atribute” të mëdha. Sipas të gjitha gjasave, Rama nuk do të ketë asnjë rast apo mundësi ta ngrejë zërin, siç ka bërë ndonjëherë me të ngarkuarën me punë, Von Horn, apo edhe më parë me Yuri Kim.
Gjenerali i ‘beretave të gjelbra’ do t’i ketë fjalët e shkurtra. Më shumë sesa negociata, Wendt do të shpërndajë “urdhra” diplomatikë dhe kërkesa ultimative që vijnë nga lart. Lart, jo vetëm nga DASH-i i Marco Rubio-s, por mbi të gjitha nga Shtëpia e Bardhë dhe rrethi i ngushtë i Donald Trump-it. Dhe, sipas gjasave, me një vëmendje të madhe nga Pentagoni e natyrisht nga Langley.
Në këtë logjikë, më shumë se Edi Rama, presidenti Bajram Begaj do të jetë interlokutori kryesor i ambasadorit të ri të SHBA-së. Qoftë për solidaritetin e uniformës, por më shumë për rrethin e afërt të besimit, sidomos në çështje operative, të inteligjencës dhe ushtarake, ku, siç duket, do të përqendrohet misioni i tij.
Ky mision, më shumë sesa diplomatik, duket se vjen në një terren shumë aleat për të përgatitur një teatër të një lufte të re, ku Shqipëria e ka të destinuar të jetë pjesë. Devijimi i gjeneralit nga Kuvajti në Tiranë është një sinjal që tregon se gjërat do të ndërlikohen edhe këtej nga ne, duke zhvendosur qendrën nevralgjike./Pamfleti
1) Reziku ruso-serbo-sllav i daljes ne Mesdhe. 2) Frika e shkeputjes se Shqiperise nga Amerika keta gomeret tane per tu futur ne Europe, qe kurre nuk do futen. 3) Kane sjelle dajakun tu rrije siper kokes Skipetaleve brenda e matane kufirit se Skipetalet, jo Shqiptaret kurr nuk marrin vesh me fjale. 4) Gje e mire per Shqiperine te behet shteti 51 i USA, se tere jeten Shqiptaret nuk jetojne pa u bere vasale te Perandorive.
Duhete hetuar
Mos fantazoni kot. Trampi nuk ka burrë mami që e kupton se ç'thotë e ç'bën!