
Policia ka nisur shoqërimet e para të protestuesve të Partisë Demokratike, pas përplasjeve të ashpra që janë regjistruar gjatë tubimit.
Tensionet u rritën pasi deputeti demokrat Flamur Noka tentoi të çante kordonin e policisë, duke u mbështetur më pas edhe nga protestues të tjerë. Në vijim, ata arritën të depërtonin përmes kordonit, çka solli përshkallëzim të situatës në terren.
Pas çarjes së kordonit, forcat e rendit ndërhynë duke përdorur gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer kontrollin.
Ndërkohë, policia u vendos në formë gardhi në rrugët kryesore që të çojnë drejt Parlamentit, duke penguar avancimin e mëtejshëm të protestuesve.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u largua nga protesta pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pasi u ndje keq nga hedhja e gazit lotsjellës. Më pas, ai është drejtuar drejt selisë blu, ku edhe ka hyrë në ambientet e partisë. Ndërkohë, një numër i madh protestuesish dhe mbështetësish vijojnë të qëndrojnë jashtë godinës.
Lini një Përgjigje