
20 vite monopoli, mashtrime statutore dhe manipulim i kongreseve për të mbajtur kontrollin absolut...
Partia Socialiste pretendon se është një forcë politike me demokraci të brendshme, por në realitet funksionon si një “Parti kryetari”, ku mungon çdo hapësirë për mendim ndryshe dhe askush nuk guxon të kundërshtojë monopolizimin personal të drejtimit nga Edi Rama. Ata që janë përpjekur të ofrojnë alternativa jashtë linjës së kryetarit janë larguar gradualisht nga strukturat drejtuese dhe janë zëvendësuar me “ushtarë” besnikë, të vetëdijshëm për rolin e tyre: të jenë “mumje” që ngrisin duart për çdo vendim të kryetarit.
Mungesa e demokracisë dhe vrasja e garës së alternativave drejtuese ka garantuar sundimin e përjetshëm të Edi Ramës në krye të PS, pa asnjë shenjë për rinovim të elitës drejtuese.
Për të sanksionuar këtë kontroll, pas ardhjes në pushtet ai ka ndryshuar statutin e partisë, duke hequr detyrimin për zgjedhjen e kryetarit me kongres çdo katër vjet.
Edi Rama u zgjodh për herë të parë kryetar i PS më 9 tetor 2005, në një garë të prezantuar si e hapur dhe reale, por praktikisht një farsë, ku përdori si kandidat formal Rexhep Mejdanin. Ky proces u bojkotua nga disa drejtues të lartë të partisë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm Gramos Ruçi, duke refuzuar të merrnin pjesë në kongresin e manipuluar.
Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2009, Rama dhe kryesia e rinovuar me 80% drejtues të rinj, katapultuar nga Bashkia e Tiranës, shpërfillën statutin dhe refuzuan dorëheqjen e kryetarit pas humbjes. Pa mbajtur kongres zgjedhor, Rama vazhdoi sundimin e tij, duke larguar drejtues socialistë të vërtetë që kërkonin garë të hapur.
Pas fitores parlamentare të vitit 2013, Rama nuk lejoj kongres zgjedhor për kryetarin, ndërsa në janar 2015, ai eliminoi çdo mundësi për zgjedhje periodike të kryetarit, duke ndryshuar statutin dhe duke vendosur këtë nen: kur partia është në qeveri dhe kryetari është kryeministër, zgjedhjet për kryetar zhvillohen vetëm nëse 10% e delegatëve të kongresit e kërkojnë dhe shumica e delegatëve pranojnë kërkesën.
Në praktikë, delegatët e PS janë kryesisht ministra, deputetë, drejtorë, kryebashkiakë dhe patronazhistë të përzgjedhur me filtër nga drejtuesit qendrorë, duke e bërë të pamundur mbledhjen e 10% të kërkesave për zgjedhje të kryetarit. Edhe në rast se disa delegatë do kërkonin zgjedhje, shumica e 1,200 delegatëve të tjerë do e bllokonin kërkesën dhe, në shumë raste, ata do të largoheshin nga strukturat si “armiq të sulltanit”.
Megjithëse Edi Rama është kryetar i PS prej 20 vitesh pa u zgjedhur formalisht në kongres, ai ka mashtruar sistematikisht Zyrën e Regjistrit të Partive Politike, duke depozituar çdo katër vite dokumente false sikur është zgjedhur në kongreset e partisë. Sipas informacionit të “Pamfleti”, ky skandal është ripërsëritur edhe në qershor 2025, ku Rama u vetëshpall kryetar i ri-zgjedhur për mandatin 2025–2029, pa u kërkuar asnjë provë nga Zyra e Partive Politike./Pamfleti
Lini një Përgjigje