TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Prill 2025, 12:13

Monopoli i fushatës nga Berisha e Rama, si po e dominojnë skenën; nga batutat te personazhet e Tik Tok-ut

Shkruar nga Pamfleti

Monopoli i fushatës nga Berisha e Rama, si po e dominojnë skenën;

Herë pas here në qendër të fushatës shfaqen personazhe që pompohen nga Berisha e Rama, por asnjë prej tyre çuditërisht nuk është pjesë e ekipeve që përfaqësojnë

Kur kanë mbetur dy javë nga dita kur shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur Parlamentin e ri, fushata po dominohet nga dy liderët e vjetër të politikës, Sali Berisha dhe Edi Rama. Megjithëse ka një përpjekje të politikanëve të rinj për të çarë skenën politike, të paktën deri më tani, binomi Rama-Berisha vijojnë të mbajnë monopolin.

Berisha duke iu përmbajtur modelit tradicional të tijin, me një program që përpiqet ta artikulojë takim pas takimi, ndërsa Rama përmes batutave dhe ‘pasaportës europiane’ synon mandatin e 4-t rradhazi qeveritar.

Po çfarë po ndodh me fushatën e 11 majit, kush po e dominon atë dhe cilat çështje po artikulohen më fort?

Në këtë fushatë po ndiqet modeli i mungesës së një debati politik mes palëve. i vetmi debat, nëse mund të quhet i tillë, i zhvilluar deri më tani, ishte një përballje mes drejtuesve të partive që garojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare. Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, që janë në një koalicion ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë dhe Agron Shehaj i partisë ‘Mundësia’ ndodhen pothuajse në pozicione lufte mes tyre, me sulme publike ose jo, në një përpjekje për të ‘pushtuar’ territorin politik jashtë gardhit të militantëve të PS dhe PD.

Lulzim Basha me koalicionin ‘EuroAtlantik’ shpreson se do të mbajë nën kontroll ata që ishin pjesë e PD-së dhe nuk iu bashkuan Sali Berishës kur ky i fundit morri nën kontroll vulën, logon dhe simbolet e partisë më të madhe opozitare.

Berisha i ka drejtuar disa ftesa Ramës për debat, por i bindur që Kryeministri nuk do ia marrë në konsideratë, ndërsa kreu socialist ka zgjedhur që të vijojë batutat, sa herë që konstaton se ka një ulje të kurbës së ndjekësve në rrjetet sociale.

Herë pas here në qendër të fushatës shfaqen personazhe që pompohen nga Berisha e Rama, por asnjë prej tyre çuditërisht nuk është pjesë e ekipeve që përfaqësojnë.

Berisha mban komandën e fushatës në anën e tij, edhe pse ka caktuar 12 drejtues qarqesh dhe 5-6 të tjerë me përgjegjësi më të gjera. i vetmi ndër ta që ka tërhequr vëmendje është Flamur Noka, të cilit duket se i është ngarkuar detyra të sulmojë Agron Shehajn, duke vijuar një përplasje të vjetër mes të dyve, që nisi pak muaj më parë. Fare mirë programi i PD-së mund të shpjegohej nga plot emra që janë kandidatë në këtë parti, fare mirë fushata e “Aleanca Shqipëria Madhështore” mund të drejtohej nga plot kandidatë të listave të hapura, që edhe në rast humbjeje, do të ishin një aset i mirë, ndoshta pse jo të shiheshin e ardhmja e kësaj partie.

Të njëjtën strategji po ndjek edhe Edi Rama. Ky i fundit gjithçka e bën vetë, madje gjithçka e lidh vetëm me emrin e tij. Madje ka krijuar idenë se nëse ai nuk do të jetë më si Kryeministër, gjithçka do të ndalet.

Kreu i PS-së e nisi fushatën e batutave me Sali Berishën, që e krahasoi me bufin dhe opozitën e drejtuar prej tij e quajti kënetë. Dhe si për ti bërë bashkë të dy, Rama nuk humbi kohën duke përdorur togfjalëshin “bufi i kënetës’.

Më pas i ngjiti epitetin e moçaleve çdo partie të re, vijoi me batutat për Lulzim Bashën, që deri në momentin kur u bë viral me videon ‘O Rame ku i ke shokët’, ishte inekzistent, për të vijuar më pas me korçarin Ilir Vrenozi, një personazh të njohur në rrjetet sociale për shpërthimet e tij, apo me Chris LaCivita që e pagëzoi me emrin ‘Latifi’.

Por batutat e Ramës kapën të papërgatitur Berishën, i cili e vonoi përgjigjen për disa ditë, duke u këshilluar ndoshta edhe nga strategu amerikan i fushatave, LaCivita, se epiteti ‘buf’ pavarësisht kuptimit që e përdorte Kryeministri, ishte një vlerësim. Dhe kështu Berisha nisi të shpjegojë se “bufi është simboli i Athinasë, perëndeshës së urtësisë dhe mençurisë. Bufi konsiderohej kaq simbol ia arrijë. Athinaja nuk zgjodhi shqiponjën, zgjodhi bufin”.

Por shpejt doli nga debati në distancë me Ramën, ndoshta edhe i këshilluar që të mos shkonte pas ‘karremit’ që Kryeministri kishte hedhur në fushatë.

Paralelisht, Rama futi në lojë Lulzim Bashën, që duket se gjeti momentin për të fituar vëmendjen, ndërsa për disa ditë me rradhë i kthehej kryeministrit po me batuta të tilla si “7*7= 313” apo “Ku i ke shokët”.

Më pas, me një skenar të mirëpërcaktuar, Rama u hodh në të tjera batuta, këtë rradhë duke i quajtur çyrykë ato që do të votonin “kënetën”, ndërsa i bënte thirrje grave që të bindnin burrat të votonin PS-në, ose në rastin më të keq, t’i vinin ato në gjumë, ditën e zgjedhjeve. Vajzave iu bëri thirrje që të bindnin të dashurit e tyre, nëse ata votonin kënetën, ose në rastin më të keq, të mos shkonin pas tyre në kënetë.

Sërish ai tërhoqi vëmendjen dhe si për ironi për ditë me rradhë, ndoshta edhe me lojën e ndjekur nga Berisha, personazh qendror i fushatës është kthyer Ilir Vrenozi. 

Berisha e konsideron hero, sepse ai refuzoi ftesën e Ramës për një kafe, ndërsa Kryeministri nxitoi që ta cilësonte personazhin e rrjeteve sociale, si fytyrën e vërtetë të kënetës, nisur nga gjuha pak e shfrenuar, që Vrenozi përdor në videot e tij.

Dhe si për ironi, duket se Iliri, ai korçari që mori famë nga rrjetet sociale, ka më shumë rëndësi në sytë e Berishës se Ivi Kaso apo Edmond Spaho që i ka kandiduar në Korçë apo për mendjen e Ramës është më i këndshëm se Niko Peleshi që i ka besuar drejtimin e fushatës. /Pamfleti/

  

Lini një Përgjigje