Politike 8 Mars 2023, 16:29

“Ndaloni blerjen e votave”, Yuri Kim shkund politikën: Boll me kaseta të gatshme në fushatë, duam kandidatë të pastër!

Shkruar nga Pamfleti

“Ndaloni blerjen e votave”, Yuri Kim shkund politikën: Boll me

Shteti duhet të garantojë të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe në fshehtësi. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si kanë votuar njerëzit duhet të parandalohet...

Ambasadorja Amerikane ka vënë në rresht sot politikën sa i takon zgjedhjeve vendore të 14 majit. Ajo pati takime me Damin Gjiknurin e Partisë Socialiste, Enkelejd Alibeajn e Partisë Demokratike dhe Ilir Metën e PL. Kim ju ka dhënë një sërë ultimatumesh, duke filluar që nga blerja e votave dhe deri te siguria e të dhënave personale.

Përmes një deklarate për mediat, ambasada e SHBA bën me dije se ambasadorja u ka dhënë dhe një goditje të fortë qeverisë dhe autoriteteve. Ajo ka kërkuar që të garantohet e drejta e votës për të gjithë dhe të mos ketë presione.

Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet vendore të 14 majit, ambasadorja Kim u takua sot me drejtues të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë për të nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të aktiviteteve në mënyrë të ndershme, transparente dhe të rregullt, në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare.  Ajo iu kujtoi atyre vëzhgimet dhe rekomandimet e raporteve të mëparshme e ODIHR-it. Për shembull, në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, rekomandimet e ODIHR përfshinin si më poshtë: Shteti duhet të garantojë të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe në fshehtësi. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si kanë votuar njerëzit duhet të parandalohet”, shuhet në deklaratë.

Kim është ndalur dhe te shitja apo blerja e votës. Sipas saj, duhet që të marrë fund ky fenomen. Po ashtu duket se ajo i ka dhënë një goditje dhe Partisë Socialiste, pasi ambasadorja është ndalur dhe publikimi i të dhënave personale. PS ka angazhuar patronazhistët dhe ambasadorja duket se i ka “tërhequr veshin”.

Agjencitë ligjzbatuese duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës. Qytetarët duhet të nxiten të raportojnë dhe të japin fakte për çfarëdo blerje votash apo presioni. Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë tërësisht dhe të ndëshkojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor”, tha ajo.

Ambasadorja është ndalur dhe te një fenomen që përdoret në fushatë vitet e fundit, ku partitë dërgojnë kaseta të gatshme. Sipas saj, kjo nuk është normale.

Legjislacioni duhet të ndryshohet për të siguruar që mediat të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e konkurruesve në zgjedhje me synimin për të kufizuar përdorimin në lajme të materialeve të prodhuara nga partitë”, thuhet më tej.

Sipas deklaratës drejtuesit e partive konfirmuan gjithashtu se do të shqyrtojnë kandidatët përkatës për t'u siguruar që ata përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e votuesve shqiptarë për kandidatë të pastër.

Ambasada shprehet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me votuesit, autoritetet, partitë, shoqërinë civile, median dhe të tjerë në mbështetje të një procesi zgjedhor që pasqyron statusin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe aspirante për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

kim zgjedhje #pa shkuar asnjë ditë në fushatë