
Rindizet konflikti në PD. Disfata në zgjedhje duket se po e thellon krizën dhe ashtu siç pritej, konflikti mes Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt ka agravuar. Ish-kryeministri akuzoi Alibeajn se ka marrë 220 mijë euro nga Rama, por ish-kreu i komanduar i PD i është përgjigjur.
Alibeaj i ka kujtuar Shkëlzen Berishën, teksa e akuzon Berishën se është i zhytur në korrupsion. Po ashtu i kërkon të largohet nga PD.
“Pasi u bojkotua masivisht nga demokratët dhe shqiptarët, Sali Berisha vazhdon të hedhë llum dhe baltë si e vetmja mënyrë për t’i mbijetuar katastrofës së vet elektorale. I përjashtuari i madh nga politika, me 103 mijë vota demokratësh kundër tij e me 200 mijë të tjerë që e refuzuan dëshmoi qartë kush i ka shërbyer kujt!
Edi Ramës i duhet Sali Berisha dhe soji e sorollopi i tij i korruptuar për të justifikuar korrupsionin ku është zhytur ai dhe qeveria e tij.
Unë nuk kam qenë kurrë e nuk jam me parimin e Xenit, për tu paguar për gjithçka.
Sali, dorëheqja ime është akt që shkon për të mirën e demokratëve, largimi yt është çlirim dhe frymëmarrje për ta”, thekson Alibeaj.
Një ditë më parë Alibeaj dha dorëheqjen si kryetar grupi dhe si kryetar në detyrë i PD. Por kjo duket se do të rindezë edhe një herë debatin se kush duhet ta drejtojë partinë.
Lini një Përgjigje