Në kushtet e rritjes së çmimeve, kryebashkiakja Emiriana Sako kërkon rritje pagash për administratën e Durrësit, duke shkaktuar përplasje me opozitën në Këshillin Bashkiak, ndërsa jashtë vijojnë protestat e banorëve të prekur nga projekti TID...
Në një kohë krize ekonomike, kur çmimet e naftës dhe të shportës bazë janë në rritje, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, kërkon rritje pagash për stafin.
Kjo çështje u shoqërua me debate të forta në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku opozita kundërshtoi hapin, duke e cilësuar të pajustifikuar dhe duke kritikuar rritjen e pagës së kryebashkiakes dhe aparatit të saj. Sipas saj, rritja duhet të vlejë për arsimtarët, stafet e kopshteve, policinë bashkiake dhe administratën e nivelit të ulët, por jo për drejtuesit, duke theksuar mungesën e përmirësimit në performancë.
Paralelisht, jashtë godinës vijoi protesta e banorëve të prekur nga projekti TID, të mbështetur edhe nga banorë të Baks-Rrjollit.
Gjatë mbledhjes, këshilltari demokrat Ardian Muka kërkoi që përfaqësues të banorëve të merrnin pjesë në diskutime, por kërkesa nuk u pranua. Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Denisa Luarasi, deklaroi se përgjigjet do të publikohen online.
Në mbledhje mori pjesë edhe Dritan Burgija i përjashtur nga PD, i cili pas saj iu bashkua protestuesve së bashku me Ardian Mukën.
Ndërkohë, u miratua rialokimi i rreth 714 milionë lekëve fonde rindërtimi për vitin 2026, mes shqetësimeve për vonesat. Nënkryetari Gentian Kallmi deklaroi se shpërndarja e banesave vijon dhe shumica e familjeve kanë marrë çelësat në Spitallë.
Lini një Përgjigje