
Kryeministri Rama është kapur pothuajse me të gjithë kryebashkiakët të cilët nuk kishin dorëzuar hartat e zonave për Paketën e Maleve. Teksa i ka marrë emër për emër dhe institucion për institucion ai ka ironizuar duke u bëri “rreshtore” dhe autokritikë.
Rama iu ka kërkuar të përfundonin në afat porosinë e dhënë, ndërsa pas Kuçovës, Dimalit, Shkodrës dhe Kukësit, ai kaloi tek kryebashkiaku i Devollit.
“Më dëgjon ti kryebashkiaku i Devollit. Se i mbylle edhe ato problematikat e karburanteve, se u bë kjo puna e karburanteve, i zgjidhe dhe ato tani… Tani pse nuk i sillni hartat…”, tha Rama duke iu drejtuar të zgjedhurit vendor.
Më tej kaloi tek kryebashkiaku i Pogradecit, duke e kritikuar se si një qytet liqenor, ku spikat për fermerët por edhe për bukurinë dhe lashtësinë, kërkoi të dinte se përse nuk i dorëzonte zonat me harta.
“Nuk po flas për Pogradecin. Duhet të vijë harta e paketës së maleve, ke pasur Adamin e fermerëve në Pogradec dhe tani duhet të më sjellësh hartat”, u shpreh kryeministri, teksa i zgjedhuri vendor pohoi për realizimin e porosisë.
“Dushit” nuk i shpëtoi as Majlinda Bufi e Roskovecit. Rama i kërkoi kryebashkiakes që të bënte edhe autokritikë, teksa Bufi e pranoi kritikën, duke premtuar se do realizonte detyrën.
“Nuk i kam sjellë hartat është e vërteta”, tha ajo.
Dhe Rama e ndërpreu: “Mirë pra, po bëj autokritikë…!”
Bufi u ngrit dhe pranoi të bënte autokritikën: “Po, bëj autokritikë jo vetëm për mua, po për të gjithë ne që s’i kemi sjellë. Ne e kemi filluar punën dhe jemi në proces. Faleminderit që nuk na kritikove më shumë”.
Rama vijoi duke i kujtuar se kishte punuar shumë, por nuk kuptonte vonesën e hartave nga Bashkia Roskovec, duke mbetur pas edhe nga Memaliaj.
“Ti ke bërë shumë punë por që të mbetesh me Memaliajn…”, tha ai.
Bufi u përpoq të replikonte me një batutë nga filmat shqiptarë, por Rama ia ndërpreu fjalën, duke ia kaluar një tjetër bashkiaku.
Lini një Përgjigje