
Kryeministri Edi Rama është pritur këtë pasdite në një takim nga homologia Giorgia Meloni gjatë vizitë së tij në Itali. Pasi u prit me një ceremoni shtetërore, teksa është folur për disa çështje.
Sipas Kryeministrisë, miqësia tradicionale Shqipëri - Itali dhe vullneti për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve, u rikonfirmua edhe në këtë takim.
Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në fushën ekonomike, ishte një tjetër temë e diskutuar gjerësisht në takim, ku Italia si partnere strategjike e Shqipërisë, ka një rol tejet të rëndësishëm në këtë drejtim edhe përmes prezencës gjithnjë në rritje të sipërmarrjeve italiane në vendin tone.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e investimit që ofron Shqipëria në shumë sektorë potenciale, si energjia, infrastruktura, bujqësia, e veçanërisht turizmi, i cili këtë vit shënoi një rekord të vërtetë rritjeje, duke u kthyer në një nga fushat më atraktive për investime.
Sa i përket integrimit europian të Shqipërisë, në takim u theksua se Italia do të vijojë të mbështesë fuqishëm procesin, në të gjitha etapat e tij, ashtu si deri më tani.