
Deputetët mblidhen sot në seancë plenare, ku në rendin e ditës parashikohet të shqyrtohet veprimtaria e disa institucioneve për vitin 2024.
Por diskutime do të ketë edhe për Komisionet e Posaçme Parlamentare, atë për Reformën Zgjedhore dhe për Territorialen, ndërsa pritet që të vendoset edhe për ngritjen e tyre.
Një ditë më parë, në Konferencën e Kryetarëve pati diskutime lidhur me Zgjedhoren. PS kërkon një formulë ku dy partitë e mëdha të kenë nga një bashkëkryetar, PS 8 anëtarë dhe 8 partitë e tjera opozitare. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se pjesë e komisionit duhet të jenë edhe partitë e tjera parlamentare.
Kështu do të përfshihej edhe partia e Tom Doshit, dhe për PD-në kjo prish barazinë në komision sepse PSD historikisht ka votuar pro socialistëve. Edhe për Territorialen, demokratët kërkojnë baraza.
Priten diskutime edhe për projektligjin për menaxhimin e integruar të mbetejeve dhe projektvendimin për "Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Shqyrtimin dhe Përzgjedhjen e Kandidaturave të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve".
Sa i përket raportimeve të disa institucioneve, parashikohet raportimi i veprimtarisë së Avokatit të Popullit për 2024, të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish - Sigurimit të Shtetit, dhe raportimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Sakaq, në orën 09:30, mblidhet edhe Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar vendimin e KQZ-së për t’i dhënë mandatin e deputetit Besnik Brahimit dhe Shkurt Laskut të PSD. Mandati iu kaloi Brahimit dhe Laskut si dy më të votuarit pasi Tom Doshi dhe Sabina Jorgo hoqën dorë nga mandati.
Lini një Përgjigje