Politike 1 Mars 2023, 18:56

Ngjarja në Paskuqan, reagon deputetja Tabaku: Të hetohet gjykatësi që amnistoi një vrasës të përsëritur

Shkruar nga Pamfleti

Ngjarja në Paskuqan, reagon deputetja Tabaku: Të hetohet

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar pas ngjarjes tragjike që ndodhi ditën e sotme në Tiranë, ku shtetasi Dan Hutra vrau 3 gra në zonën e Paskuqanit dhe Kamzës.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Tabaku kritikon sistemin e drejtësisë dhe policinë për mënyrën se si është liruar nga burgu 40-vjeçari dhe si nuk ka asnjë masë parandaluese ndaj tij.

Tabaku shkruan se një hetim i thelluar duhet të nisë nga ILD për gjykatësin që ka amnistuar një vrasës të përsëritur.

Tragjik bilanci i ditës së parë të Marsit, muajit të grave! Tre jetë të humbura dhe dy zonja të tjera të plagosura nga një person i dënuar me burg por që gjezdis me armë në dorë duke kryer një masakër.

E kotë, që tani të ngrihemi me irritim ndërsa i dënuari duhet të ishte akoma duke kryer dënimin, përkundrazi mundi të shkojë në vende të ndryshme për të marrë tre jetë njerëzish. Vazhdojmë të përsërisim veten duke reaguar vonë në kohë. Vazhdojmë të argumentojmë shkaqet pa i dhënë zgjidhje problemeve që e çojnë situatën këtu.

Mbetemi pengje të statistikave me arritje, të ligjeve që miratojmë ne edhe nuk gjejnë zbatim. Sado masa të merren janë te kota kur dhuna e përsëritur amnistohet nga një gjykatës! Kur policia nuk ka një sistem ndjekje për persona që kanë në CV e tyre dhunën ndaj grave. Nuk ka asnjë justifikim, arsye, argument për një jetë te marrë! Nuk ka asnjë arsye, justifikim, argument se pse një dhunues i përsëritur duhet të lihet i lirë! apo nuk vëzhgohet me kujdes nga forcat e policisë!

Këto modele dhune, kjo mënyrë e të fortit që kërcënon këdo e merr jetë dhe në pragun e derës e në shtëpinë e tij sot po kthehet në normë e duhet të merren masa sa nuk ështe vonë! Le ta nisim nga ILD që duhet menjëherë te nisë një hetim për gjykatësin që ka amnistuar një vrasës te përsëritur! Le të vazhdojmë me institucionet e tjera shtetërore se çfarë duhet të ishin duke bërë për të mbikëqyrur persona me background të tillë. Koha të veprojmë”, shkruan Tabaku

ngjarja paskuqan tabaku