
Ditën e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë procesi i rinumërimit për qarkun e Fierit.
Nga ora 09:00, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në kryeqytet do të nisë hapja e 587 kutive të votimit për të kontrolluar saktësinë e rezultateve fillestare në këtë qark që prodhon 16 mandate në parlament. Në Fier, Partia Demokratike mori vetëm 4 mandate, kundrejt 12 të tjerëve që fituan socialistët.
Rinumërimi është jetik për dy forca të vogla politike nëse vërtetohen gabime në numërimin apo vlefshmërinë e votave. Nisma “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt humbi mandatin për rreth 500 vota, dhe nëse gjatë rinumërimit Azmer Duleviç fiton këto vota që mund t’i jenë hequr, ai bëhet deputet. Kjo do të thotë se PS mund të humbasë një mandat, dhe në këtë rast jashtë parlamentit do të mbetej Zegjine Çaushi.
Zegjine Çaushi rrezikon mandatin jo vetëm nga jashtë partisë, por edhe brenda PS-së, pasi fitoi me vetëm 64 vota më shumë se rivalja e saj brenda partisë, Maldrita Bardhos.
Partia “Mundësia” gjithashtu duhet të sigurojë të paktën 519 vota nga rinumërimi dhe t’i marrë PS-së një deputet për të hyrë në parlament.
Më 27 qershor, përfundoi procesi i rinumërimit të 1207 kutive të votimit për Tiranën. Ky proces, nuk solli asnjë ndryshim të rezultatit as për subjektet dhe as për kandidatët.
Dy forcat e mëdha ishin ato që pas 10 ditësh rinumërim, rezultuan të kenë marrë më shumë vota sesa ka qenë vullneti i shprehur i zgjedhësve.
Saktësisht, Partia Demokratike, që ishte dhe iniciatorja e procesit të rinumërimit, ka marrë 612 vota të pamerituara, edhe socialistët 380.
Partitë e tjera u janë llogaritur në favore jo më shumë se 50 vota, ndërsa euroatlantikët e Lulzim Bashës, LZHK e Dashamir Shehut nuk iu ishin llogaritur vota që u takonin, përkatësisht 21 dhe 7 të tilla.
Përfaqësuesit e KAS-it, i cilësuan si gabime njerëzore, por i gjithë procesi, sipas tyre, pavarësisht kostove financiare dhe lodhjes, i shërbeu fashitjes së mosbesimit dhe akuzave për manipulime.
Rinumërimi nuk solli ndryshim as për kandidatët, edhe pse për disa prej tyre solli ngushtim të diferencës mes atyre që morën mandatin e deputetit dhe atyre që nuk e kaluan dot vijën ndarëse të fituesve.
Kështu, diferenca mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit, nga 140 u ngushtua në 70, pasi kësaj të fundit iu shtuan 19 vota që nuk i ishin llogaritur, dhe Xhaçkës iu hoqën nga rezultati final 51 vota të vendosura padrejtësisht.
Ngushtohet diferenca në mënyrë të papërfillshme edhe për dy kandidatët më të votuar në listën e hapur të PD-së, Tabaku dhe Alimehmeti, edhe pse të dyve komisionerët iu kishin shtuar vota të padrejta në favor. Kështu, Tabakut iu zbritën 250 vota dhe Alimehmetit 137, dhe diferenca mes tyre shkoi në 2345 nga 2458 që ishte para rinumërimit.
Mbeten për t’u parë se si do të jenë rezultatet e procesit të rinumërimit të qarkut Fier.
Lini një Përgjigje