Opozita nuk pranon zgjedhje të reja me Edi Ramën si kryeministër. Kështu bëri të ditur deputeti demokrat i qarkut Fier, Luan Baçi, teksa foli për përgatitjet për protestën e radhës të opozitës.
Baçi tha se synimi i opozitës nuk është që të vijë PD-ja në pushtet, por për qytetarët që vuajnë nga problematikat sociale, varfëria, rrogat, pensionet, banesat e përmbytura dhe çështje të tjera, për të cilat shqiptarët duhet të ngrihen në këmbë.
I pyetur për strategjinë e protestës së 10 shkurtit që deklaroi kreu i PD-së Sali Berisha gjatë konferencës së sotme, ligjvënësi tha se ai nuk mund ta publikonte, por garantoi se ajo do ishte më e fuqishme dhe e pandalshme.
“Nuk mund të jap detaje për strategjinë e protestës së opozitës më 10 shkurt, madje ju e dëgjuat vetë edhe zoti Berisha nuk e dha. Kjo është ekskluzive për strukturat e PD-së, unë nuk mund ta them dhe askush nuk mund ta thotë. Strukturat e dinë se protestat do jenë të përhershme dhe të vazhdueshme, me forma dhe mënyra të ndryshme. Edhe puna është e përhershme dhe në vazhdimësi, për të arritur te protesta e radhës, që do jetë më e fuqishme nga e para dhe me organizim më ndryshe. Protestat do jenë në mënyrë të pandalshme, kërkesat tona janë të qarta”, tha Baçi.
Ai shpjegoi se motivet e lëvizjes opozitare gjenden tek zgjedhjet e manipuluara të qeverisë Rama dhe skandalet e fundit. Deputeti opozitar u shpreh i bindur se protestën e ardhshme qytetarët do derdheshin në shesh.
“Zgjedhjet e 11 majit u manipuluan, kemi 6 rezoluta ndërkombëtare që faktojnë këtë proces. Kemi raportin e ODIHR që thotë se shteti u bë një dhe u vu në funksion të PS për të grabitur zgjedhjet e 11 majit. Unë jam i bindur se shqiptarët do të derdhen në shesh dhe protestat do jenë të pandalshëm”.
Baçi nënvizoi se PD nuk do pushtet në tavolinë, por zgjedhje me Ramën kryeministër nuk do pranonin më.
“Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë, nuk kërkojmë pushtet me dhunë edhe pse është i grabitur, ne kërkojmë zgjedhje të lira e të ndershme, pa presione dhe kërcënime. Zgjedhje të lira e të ndershme nuk garantohen me kryeministër Ramën. Ne duam një qeveri që garanton zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk pranojmë zgjedhje me Ramën kryeministër. Rama është servil me ndërkombëtarët dhe arrogant me qytetarët”, vijoi ai.
Baçi u pyet edhe për deklaratat e reporterit të BE-së për Shqipërinë, Andreas Schieder, të dhëna sot gjatë konferencës për shtyp, ku bëri thirrje që të mos protestohej me molotov, pasi nuk ishte mirë për vendin.
Deputeti deklaroi se “ky regjim edhe molotovin e ka pak”.
“Ne nuk jemi në demokraci, jemi në autokraci. Ne nuk jemi në demokraci funksionale. Molotovi i qytetarëve tregon zemërimin e qytetarëve, në mënyrë simbolike u tregon qytetarëve, atyre që rrinë në shtëpi dhe bizneseve që nuk bashkohen në protestë, se nuk mban më me këtë regjim dhe se zemërimi ka arritur kulmin. Molotovi nuk prish punë për askënd, është simbolik. Për një regjim të tillë Molotovi është pak, duhen lëvizje edhe më të forta mendoj, Kryeministri as shikon dhe as dëgjon, ka nën komandë të gjithë shtetin. Në këtë këndvështrim, edhe evropianët nëse do e shikojnë realitetin siç duhet, jo me propagandën e kryeministrit, sepse këtu nuk funksionon shteti ligjor e nuk ka demokraci”, u shpreh Baçi nga studio e “News 24”.
Keta te PD-ke nuk e kerkojne Pushtetin as ne tavoline, dhe as jashte tavoline. Sepse po te ishte ndryshe. sigurisht qe protestat e PD-ke nuk do beheshin 1 here ne muaj. Dhe ne fakt kane arsye te forte PS-te