Pavarësisht protestave, qeveria ndez dritën jeshile për termocentralin në Roskovec...
Edi Rama ka qerasur sërish Bashkim Ulajn. Ndonëse ky i fundit njihet si biznesmen pranë Sali Berishës, në fakt po përfiton masivisht nga qeveria. Aksi Thumanë-Kashar është afera më e madhe. Në këtë aks janë derdhur miliona dhe nuk është sipas standardeve të propaganduara. Por duket se tani Bashkim Ulaj i është futur dhe botës së energjisë.
Në mbledhjen e sotme, qeveria ka miratuar ndërtimin e një termocentrali të ri me kapacitet të instaluar prej 170 MW në Roskovec. Ky projekt do të realizohet nga shoqëria greko-shqiptare “Fier Thermoelectric” sh.a, e cila aksionerë ka kompaninë greke "DEPA COMMERCIAL S.A", 35%, kompaninë tjetër greke "GEK TERNA Holdings" 35%, ndërkohë që GENER 2 zotëron 30% të aksioneve.
Por nëse shohim të dhënat e kompanisë, është një kompani me qendër në Tiranë dhe zyrat i ka aty ku i ka "Gener 2". Pra nuk është çudi që të fshihet Bashkim Ulaj komplet pas saj.
Banorët e zonës kanë protestuar kundër ndërtimit të termocentralit. Përmes pankartave kërkuan mbrojtje nga ndotja. Ata shpreheshin se ndërtimi do të shkatërrojë qindra hektarë me sera përmes ndotjes së ujit dhe ajrit. “Ne nuk jemi dakord për TEC-in që po bëhet aty, sepse këtë bereqet që po e bëjmë sot bio, ne nesër nuk e hamë. Po na thonë largohuni nga fshati, nga puna, nga të tëra. Zonat jonë merret me sera, me blegtori. Fillimisht na thanë për panele diellore, tani na thonë do të bëhet TEC. Më mirë të na vrasin fare. Nga vendi ku unë po ngarkoj grurin është larg vetëm 700 metra”, deklaronin banorët.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave: Afati për ndërtimin dhe vënien në operim të termocentralit është 36 muaj nga hyrja në fuqi e vendimit. Termocentrali do të operojë për një periudhë 49-vjeçare.
Shoqëria “Fier Thermoelectric” sh.a. do të raportojë çdo tre muaj për progresin e punimeve dhe do të respektojë të gjitha kushtet e përcaktuara në lejet dhe licencat mjedisore.
Shoqëria synon te zhvillojë projektin e ndërtimit dhe funksionimit te Termocentralit me Turbinë Gazi me Cikël të Kombinuar, me gaz natyror si lëndë djegëse, me kapacitet 170 MW. Selia e kompanisë është pranë zyrave të Gener 2. Vendndodhja e impiantit parashikohet të jetë në zonën e Roskovecit dhe pranë Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe pranë Rrjetit Elektrik të Tensionit të Lartë.
Vendimi
PËR MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË TERMOCENTRALIT DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, ME VENDNDODHJE NË ROSKOVEC, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “FIER THERMOELECTRIC”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Miratimin e ndërtimit të termocentralit dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Roskovec, Qarku Fier, nga shoqëria “FIER THERMOELECTRIC”, sh.a., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “FIER THERMOELECTRIC”, sh.a.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: M22211019U;
c) Tipi i centralit: Termocentral;
ç) Kapaciteti i instaluar: 170 MË;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: në Roskovec, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme, me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe dokumentacionin e projektit;
g) Shoqëria “FIER THERMOELECTRIC”, sh.a., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të termocentralit;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “FIER THERMOELECTRIC”, sh.a., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “FIER THERMOELECTRIC”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje