TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Tetor 2025, 17:14

PD dënon vrasjen e gjyqtarit Kalaja, kërkon dorëheqjen e Koçiut dhe Lamallarit

Shkruar nga Pamfleti

PD dënon vrasjen e gjyqtarit Kalaja, kërkon dorëheqjen e

Vrasja në mes të sallës së gjyqit e gjyqtarit Astrit Kalaja ka ngjallur reagime të forta politike, ku Partia Demokratike akuzon qeverinë për dorëzim të shtetit përballë krimit. Në deklaratat e tyre, drejtuesit e opozitës kanë fajësuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për krijimin e një klime ku krimi ndjehet i paprekshëm dhe vetëgjyqësia merr hov.

Deputeti Klevis Balliu shkroi se “aty duhet të sundonte drejtësia dhe jo plumbi”, duke e cilësuar shtetin si të dorëzuar përballë krimit. “Në Shqipërinë e Ramës, krimineli është bërë autoritet politik dhe elektoral”, tha ai.

Flamur Noka ishte edhe më i drejtpërdrejtë: “Nuk është lajm nga Kolumbia apo Venezuela. Është vrarë gjyqtar në mes të Tiranës. Krimi është bërë me krahë nga narkoshteti, dhe këto janë pasojat kur qeveria i hap derën karteleve”, deklaroi ai.

Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë, duke thënë se kjo është ngjarja më e rëndë në 35 vite demokraci. “Kur gjyqtarët sulmohen publikisht nga Kryeministri për vendime që nuk i pëlqejnë, vetëgjyqësia bëhet standard”, deklaroi Bardhi.

Partia Demokratike ka paralajmëruar se kjo ngjarje nuk mund të kalojë pa përgjegjësi politike, ndërsa e ka cilësuar ekzekutimin e një gjyqtari në krye të detyrës si fundin e besimit në drejtësi dhe triumfin e frikshëm të krimit të organizuar.

Lini një Përgjigje