Të dy komisionet do të kenë një mandat specifik, me detyrën për të hartuar propozimet që do të mundësojnë përditësimin e sistemit zgjedhor dhe rishikimin e ndarjes territoriale në nivel kombëtar.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ditën e sotme me votat e mazhorancës dhe opozitës ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore dhe për reformën territoriale dhe administrative.
Në favor të ngritjes së komisionit për reformën zgjedhore votuan 113 deputetë të Kuvendit.
Ai përbëhet nga 16 anëtarë. PS dhe PD do të kenë nga 7 përfaqësues, Aleanca për Ndryshim 1 dhe Partia e Lirisë 1. Ky komision do të ketë 2 bashkëkryetar.
Reforma Zgjedhore, u miratua me 113 vota pro dhe 3 kundër. Votat kundër i dhanë, Artan Luku, Erald Kapri dhe Agron Shehaj. Redi Muci nga Lëvizja Bashkë nuk mori pjesë në votim.
Reforma Territoriale u miratua me 115 vota pro dhe 3 kundër, ku kundër votuan Agron Shehaj, Erald Kapri dhe Redi Muçi.
Emrat e anëtarëve të Komisionit përcaktohen me vendim të Kuvendit. Në mbledhjet e Komisionit mund të marrin pjesë pa të drejtë vote deputetë të partive të tjera parlamentare të cilët kanë të drejtë të bëjnë propozime për ndryshime në legjislacionin e Reformës Zgjedhore. Vendimmarrja e Komisionit do të synojë konsensusin e gjerë për të gjitha propozimet.
Vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, por vetëm kur kanë njëkohësisht konsensusin e të dy bashkëkryetarëve.
Ndërkohë, komisioni për reformën administrative do të ketë po ashtu 16 anëtarë, 8 nga PS, 6 nga PD, 1 nga Aleanca për Ndryshim dhe 1 nga PL.
Ky komision do të shqyrtojë kuadrin ligjor të qeverisje vendore, ridizenjimin territorial dhe rekomandimin e masave për shëndoshjen financiare për qeverisjen lokale. Kohëzgjatja e këtij komisioni do të jetë 9 muaj.
Të dy komisionet pritet të kenë mandat të posaçëm për përgatitjen e propozimeve që do të çojnë drejt rishikimit të sistemit zgjedhor dhe ndarjes së re territoriale në vend.
Lini një Përgjigje