Protestuesit rikthehen para Parlamentit, aty ku paradite pati përplasje me policinë dhe u shoqëruan disa qytetarë
Pas më shumë se dy orësh fjalime para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur edhe mbrëmjen e sotme marshimin e përditshëm në rrugët e Tiranës, në ditën e 31-të të revoltës qytetare.
Me flamuj kuqezi në duar dhe pankarta kundër qeverisë, qindra qytetarë janë drejtuar fillimisht drejt godinës së Kuvendit, pikërisht aty ku paraditen e sotme u regjistruan incidente mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa disa persona u shoqëruan në komisariat.
Teksa kaluan përpara Parlamentit, protestuesit shpërthyen në brohoritje "Turp, turp!" dhe "Policia e krimit!", duke akuzuar uniformat blu për dhunën e ushtruar gjatë protestës së paradites. Në kor, qytetarët kërkuan që përgjegjësit për shoqërimet dhe përplasjet të mbajnë përgjegjësi.
Marshimi është shoqëruar edhe me thirrjet që tashmë janë kthyer në simbol të protestës, si "Rama ik!", "Rama jep dorëheqjen!", "Rama në burg, Berisha në burg!", "Shqipëri e re!" dhe "Ju erdhi fundi!", ndërsa protestuesit kanë ritheksuar se lëvizja nuk do të ndalet deri në largimin e qeverisë dhe ndryshimin e klasës së vjetër politike.
Ndalesa para Kuvendit ka pasur një ngarkesë të veçantë simbolike, pasi aty u zhvilluan incidentet e paradites, të cilat u shoqëruan me përplasje fizike, tensione dhe shoqërimin e disa protestuesve nga policia.
Pas qëndrimit për disa minuta para Parlamentit, protesta pritet të vijojë marshimin në itinerarin e zakonshëm në rrugët e kryeqytetit, për t'u rikthyer në fund para godinës së Kryeministrisë, ku do të mbyllet edhe dita e 31-të e tubimit qytetar.
Lini një Përgjigje