Në prag të protestës që Partia Demokratike ka paralajmëruar për pasditen e së martës në Tiranë, kryetari i saj Sali Berisha ka deklaruar se reagimi opozitar do të zhvillohet në forma paqësore.
Në një komunikim online me qytetarët, kryetari i PD, Sali Berisha, u pyet nëse reagimi i opozitës mund të përfshijë edhe bllokimin e akseve kombëtare rrugore. Ai u shpreh se edhe kjo mbetet një nga format e asaj që e cilësoi si kryengritje paqësore.
Në deklaratën e tij, ai iu referua edhe ngjarjeve të shkurtit të vitit 1991, duke përmendur viktimat dhe dhunën e asaj periudhe, si dhe qëndrimin kundër përdorimit të forcës nga protestuesit e atëhershëm.
"Rama lule nuk meriton kurrë. Edi Rama meriton dhe do të ketë dënimet më të rënda që ka marrë kush ndonjëherë në këtë vend, për krimet që ka kryer. Por përsëri ne i qëndrojmë parimit të kryengritjes paqësore. Sepse i dashur ne nuk vijmë në pushtet me dhunë, ne jemi Parti Demokratike dhe vijmë në pushtet vetëm me votën e shqiptarëve. Kjo rrugë është pak më e mundimshme, por është më e sigurtë dhe më është më fitimtare.
Kjo është arsyeja. Nuk dua të hy në histori, por jemi në Shkurt dhe Shkurti i 1991 ishte një muaj i përgjakshëm për ne, siç e kujtoni ndofta.
Në shkurt të 1991 u vranë 8 qytetarë të pafajshëm, edhe një foshnje 2-vjeç në krevatin e gjumit tek flinte. U plagosën mbi 110 vetë në Tiranë, Fier dhe qytete të tjera. U zvarritën pas kamionëve demokratët. U mbajtën me revole në kokë për kohë të tëra. Por ne me vendosmërinë tonë, qëndrimin tonë kundra dhunës ne fituam.
Ne prap do të fitojmë. Edhe ne mund të rrëmbenim armë, siç rrëmbyen armët vullnetarët e Enverit që ishin që të gjithë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, ishin ushtarakë dhe të tjerë. Por jo ne i qëndruam asaj platforme dhe sot i qëndrojmë ne asaj platforme dhe them se, kjo platformë i ka shërbyer më shumë se çdo gjë tjetër Shqipërisë", u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje