
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka evidentuar pikat kyçe se çfarë nuk ka shkuar si duhet në zgjedhjet e 14 majit ku ai humbi përballë kandidatit socialist Erion Veliaj.
I ftuar në emisionin “Debat” në A2 CNN, Këlliçi e gjen fajin te vetë koalicioni si edhe oferta që iu ofrua qytetarëve. Sipas tij, koalicioni nuk bëri mjaftueshëm për të neutralizuar shitblerjen e votës dhe parregullsitë në procesin zgjedhor.
Më tej, Këlliçi thotë se Partia Demokratike do duhet që të riformatojë ofertën për qytetarët në mënyrë që të bëhet një alternativë në zgjedhjet e ardhshme përballë PS.
“Unë u mendova që të kisha një fushatë qytetare, larg konfliktit, të fokusuar të problemet, edhe pse pati një reagim pozitiv nga ana e qytetit, unë gjykoj që edhe koalicioni dhe programi dhe alternativa nuk ka qenë e duhura për të bërë të mundur që të kishte një valë të madhe të qytetarëve për të dalë për të neutralizuar shitblerjen e votës dhe parregullsitë në proces, ky është problemi që ne duhet të ulemi si PD për të riformatuar ofertën që ne japim, që të bëjmë të mundur që ne të jemi fitues përballë PS”, tha Këlliçi.
Gjithashtu Këlliçi ka folur edhe në lidhje me ftesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për bashkëpunim të cilës iu përgjigj shumë i prerë.
“Nuk kam ndërmend që të ndyjë duart e të bashkëpunoj me personin më të korruptuar në Shqipëri, që ia kalon dhe Edi Ramës. Nuk kam ndërmend që të bëhem pis ndonjëherë në jetën time, sidomos me para korrupsioni”, përfundoi Këlliçi.