
Zgjedhjet lokale të 14 majit po afrojnë por duket se situata në kampin opozitar nuk është e qetë, pasi një sherr ka shpërthyer brenda selisë blu në Fushë Krujë, mes kandidatit për kryebashkiak Agron Loka dhe kryetarit të degës, Sabah Stafuka.
Ky i fundit i cili ka qenë pjesë e lëvizjes së rithemelimit dhe mbështetës i Sali Berishës, ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet drejtuese të PD në Degën Fushë- Krujë, për shkak të debateve që ka pasur me kandidatin për kryetar bashkie të dalë nga primarët.
Lajmin e ka bërë me dije vetë Stafuka, me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale, ku thotë se bashkëjetesa është bërë e vështirë dhe se nuk po çon drejt fitores.
“Të nderuar demokratë të Krujës, Fushë-Krujës, Niklës, Thumanës, Bubqit, Malësisë. Dua të shpreh falënderimin për të gjithë ju që kam bashkëpunuar në kohet më të vështira të drejtimit të PD që nga viti 1991 deri sot dhe kurrë nuk jam tradhtuar dhe kurrë nuk ju kam tradhtuar sepse mes nesh ka pasur vetëm një marrëdhënie sinqeriteti dhe besimi. Sot dua t’ju them se kam dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet drejtuese të PD në Degën Fushë-Krujë. Ky ishte vendimi im më i vështirë që kam marrë në jetë, por kur marrëdhënia dhe bashkëjetesa partiake nuk shkon në favor të bashkimit dhe qëllimit të fitores, e gjykoj të arsyeshme që duhet të bëjë një hap pas sepse demokratët meritojnë me shumë”, shkruan Stafuka.
Ndërkohë që shkaku i sherrit mes tyre ende nuk është bërë i ditur. Gjithashtu ende nuk ka asnjë reagim nga ana e Agron Lokës për të dhënë versionin e tij lidhur me çfarë ka ndodhur brenda selisë blu së Fushë Krujës.
Lini një Përgjigje